Tipi dhe numri i aktit  
Data e aktit Nga:    Deri:   
Numri i fletores zyrtare Nga:     Deri:    
 
   

✖Mbyll
Detajet e Aktit
Titulli: Vendim i Gjykates Kushtetuese Nr. 48, datë 22.7.2016
Tipi i Aktit: Vendim i GJK
Numri i Aktit: 48
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 22.07.2016
Data e aprovimit te Aktit: 22.07.2016
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 144
Data e fletores zyrtare: 02.08.2016
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Gjykata Kushtetuese
Pershkrimi i Aktit: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 00-2014-1066, datë 4.7.2014 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, vetëm për sa i përket kërkuesit.
Tivari Studio
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:
VENDIM
Nr. 48, datë 22.7.2016
NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipë-
risë, e përbërë nga:
Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Vladimir Kristo anëtar i “ “
Vitore Tusha anëtare e “ “
Fatmir Hoxha anëtar i “ “
Gani Dizdari anëtar i “ “
Besnik Imeraj anëtar i “ “
Fatos Lulo anëtar i “ “
Sokol Berberi anëtar i “ “
me sekretare Edmira Babaj, në datën 2.6.2016 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore, mbi bazë dokumentesh, çështjen me nr. 26 Akti, që i përket:
KËRKUES: Marsel Nela
SUBJEKT I INTERESUAR: Prokuroria e Përgjithshme
OBJEKTI: Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën i vendimeve nr. 309, datë 27.12.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë; nr. 09, datë 16.9.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë; nr. 00-2014- 1066, datë 4.7.2014 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
BAZA LIGJORE:Nenet 42, 131/f dhe
134/1/g të Kushtetutës së Republikës së Shqipë- risë; neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; ligji nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
 
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Sokol Berberi, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit, i cili ka kërkuar pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim të subjektit të interesuar, Prokuroria e Përgjithshme, që ka kërkuar rrëzimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
 
VËREN:
I
1. Me vendimin nr. 309, datë 27.12.2005,
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur të
shpallë fajtor kërkuesin për kryerjen e veprës penale
“Trafikim të femrave për prostitucion” dhe
dënimin tij me 10 vite burgim dhe me gjobë.
2. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.
487, datë 18.12.2006, ka vendosur lënien në fuqi
të vendimit nr. 309, datë 27.12.2005 të Gjykatës
së Rrethit Gjyqësor Vlorë për pjesën që i përket
kërkuesit.
3. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me
vendimin nr. 527, datë 19.11.2008, ka vendosur
prishjen e vendimit nr. 487, datë 18.12.2006 të
Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes
për rigjykim në po atë gjykatë me trup tjetër
gjykues.
4. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr. 9,
datë 16.9.2011, ka vendosur lënien në fuqi të
vendimit nr. 309, datë 27.12.2005 të Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Vlorë.
5. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me
vendimin nr. 00-2014-1066, datë 4.7.2014, ka
vendosur mospranimin e rekurseve të paraqitura,
ndërmjet të cilave edhe atë të paraqitur nga
kërkuesi.
 
II
6. Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës
Kushtetuese (Gjykata), duke pretenduar se ndaj
tij është zhvilluar një proces i parregullt ligjor.
Më konkretisht, ai ka parashtruar se:
6.1 Gjykata e Apelit në rigjykimin e çështjes
nuk ka marrë parasysh detyrat e lëna nga Kolegji
Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 527,
datë 19.11.2008. Ajo nuk ka verifikuar të gjitha
pretendimet e të pandehurve për sa i takon
sigurimit të provës dhe seancës së marrjes së
provës.
6.2 Është cenuar parimi i gjykimit nga një
gjykatë e paanshme, pasi gjyqtari Sh. S., pjesë e
trupit gjykues në Gjykatën e Lartë, ka qenë pjesë
e trupit gjykues edhe në gjykatën e shkallës të
parë që ka dhënë vendimin nr. 309, datë
27.12.2005.
6.3 Është cenuar parimi për të mos u
deklaruar fajtor mbi bazën e provave të marra në
mënyrë të paligjshme, për arsye se janë shkelur
rregullat procedurale për sigurimin dhe marrjen e
provës. Sipas kërkuesit, dëshmia është marrë pa u
respektuar rregullat e njoftimit të palëve dhe pa u
marrë parasysh pretendimet e avokatit të tij në
lidhje me marrjen e dëshmisë nga e njëjta gjyqtare,
e cila kishte pranuar kërkesën për sigurimin
e provës. 
7. Subjekti i interesuar, Prokuroria e Përgjithshme,
ka prapësuar si vijon:
7.1 Pretendimi i kërkuesit për cenimin e
parimit të gjykimit nga një gjykatë e paanshme
është i bazuar, duke qenë se i njëjti gjyqtar që ka
dhënë vendimin ndaj kërkuesit në gjykatën e
shkallës së parë, ka marrë pjesë edhe në Kolegjin
Penal të Gjykatës së Lartë që ka shqyrtuar
rekursin e paraqitur nga kërkuesi.
7.2 Ndryshe nga sa pretendon kërkuesi,
Gjykata e Apelit, në zbatim të detyrave të lëna
nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, ka kryer të
gjitha veprimet e mundshme procedurale në
funksion të një hetimi të plotë e të gjithanshëm
të çështjes.
7.3 Pretendimi i kërkuesit për cenimin e
parimit të prezumimit të pafajësisë është i
pabazuar. Kërkuesit i është dhënë mundësia të
paraqesë mangësitë e provave përpara gjykatave
të zakonshme, të cilat i kanë mbështetur
vendimet e tyre jo vetëm në provat e kundërshtuara
nga kërkuesi, por edhe në një sërë
provash të tjera. Ndryshe nga sa pretendon
kërkuesi, gjyqtarja K.Gj., e cila ka vendosur në
lidhje me kërkesën për sigurimin e provës, nuk
ka marrë pjesë në shqyrtimin e themelit të
çështjes. Gjithashtu, avokati i kërkuesit ka marrë
njoftim për kërkesën e prokurorisë për sigurimin
provës, njoftim të cilin e ka firmosur.
 
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Lidhur me legjitimimin e kërkuesit
8. Gjykata vlerëson se kërkuesi legjitimohet
ratione personae në lidhje me pretendimet e tij, të
cilat i ka paraqitur në kërkesë, në kuptim të
neneve 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës dhe
ratione temporis, pasi kërkesa është paraqitur në
Gjykatën Kushtetuese brenda afatit të parashikuar
nga neni 30 i ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000,
“Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
9. Në lidhje me legjitimimin ratione materiae,
Gjykata vëren se kërkuesi ka ngritur pretendime,
të cilat prima facie lidhen me të drejtën kushtetuese
për një proces të rregullt ligjor. Në vijim
janë shqyrtuar këto pretendime të paraqitura nga
kërkuesi.
B. Për pretendimin e cenimit të parimit të gjykimit
nga një gjykatë e paanshme
10. Sipas kërkuesit është cenuar parimi i
gjykimit nga një gjykatë e paanshme, pasi gjyqtari
Sh. S., pjesë e trupit gjykues në Gjykatën e Lartë,
ka qenë pjesë e trupit gjykues edhe në gjykatën e
shkallës të parë që ka dhënë vendimin nr. 309,
datë 27.12.2005.
11. Gjykata ka theksuar se gjykimi nga një
gjykatë e paanshme është një nga elementet e
rëndësishme të procesit të rregullt ligjor, i
garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i
KEDNJ-së. Parimi i paanshmërisë nënkupton
mungesën e paragjykimeve nga gjyqtarët për
çështjen e shtruar përpara tyre. Një gjykatë duhet
të jetë e paanshme jo vetëm formalisht, por edhe
në mënyrë të shprehur. E drejta për t’u gjykuar
përpara një gjykate kompetente, të pavarur dhe të
paanshme, të caktuar me ligj, kërkon që drejtësia
jo vetëm duhet të bëhet, por ajo, gjithashtu,
duhet të shikohet që bëhet (shih vendimin nr. 49,
datë 10.7.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
12. Në kuptim të nenit 42/2 të Kushtetutës,
respektimi i këtij parimi duhet të verifikohet duke
zbatuar dy teste, testin subjektiv, i cili në thelb
kërkon të provuarit e faktit se bindja personale e
një gjyqtari ka ndikuar në vendimin e gjykatës
dhe, gjithashtu, testin objektiv, i cili kërkon të
provuarit nëse gjyqtari ka ofruar garanci të
mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim të
arsyeshëm në këtë drejtim. Në kuptim të testit
subjektiv, paanshmëria e gjyqtarëve duhet të
prezumohet derisa të provohet e kundërta. Për sa
i përket testit objektiv, ai nënkupton se veç
sjelljes personale të çdo anëtari të trupit gjykues,
duhet të provohet nëse ka fakte bindëse, të cilat
vënë në dyshim paanshmërinë. Në këtë kuadër
edhe dukja e jashtme ka rëndësi. Për rrjedhojë,
kur vlerësohet nëse në një çështje konkrete ka një
arsye të përligjur që rrezikon paanshmërinë e një
trupi gjykues, këndvështrimi i atyre që paraqesin
këtë pretendim ka rëndësi, por vendimtar mbetet
përcaktimi nëse ky dyshim është objektivisht i
justifikueshëm (shih vendimin nr. 49, datë 10.7.2015
të Gjykatës Kushtetuese).
13. Jurisprudenca e Gjykatës ka evidentuar se
parimi i paanshmërisë në gjykim, në këndvështrim
të përbërjes së trupit gjykues, duhet të
respektohet në çdo shkallë të gjykimit duke mos
përjashtuar as shqyrtimin e çështjes në dhomën e
këshillimit të Gjykatës së Lartë. Për Gjykatën
është konsideruar gjykatë e njëanshme trupi 
gjykues që nuk jep garancitë e nevojshme për një
gjykim të paanshëm në këndvështrimin objektiv.
Dyshimi i mundshëm për paanësinë e gjyqtarit
mund të ngrihet në hipotezën se gjyqtari është
shprehur në një procedim tjetër me një vlerësim
që ka të bëjë me përmbajtjen e të njëjtit fakt, në
lidhje me të njëjtin subjekt (shih vendimet nr. 54,
datë 20.7.2015; nr. 49, datë 10.7.2015 të Gjykatës
Kushtetuese).
14. Gjykata në praktikë të vazhdueshme ka
theksuar rëndësinë e gjykimit nga një gjykatë e
paanshme, me qëllim respektimin e të drejtave të
palëve gjatë gjithë procesit, i cili ka të bëjë
kryesisht me përbërjen e trupit gjykues. Gjykatat
duhet të jenë të kujdesshme dhe të marrin
parasysh veçanërisht problemin e përbërjes së
trupit gjykues, në mënyrë që të mënjanohen nga
gjykimi i çështjes gjyqtarët që nuk kanë garancitë
e kërkuara për paanshmëri objektive. Në shtetin
e së drejtës, kjo kërkesë merr rëndësi të veçantë
në funksion të besimit në dhënien e drejtësisë që
duhet të krijojnë në çdo rast, në shoqërinë
demokratike, jo vetëm palët në gjykim, por çdo
qytetar i thjeshtë. Ligjshmëria e rolit të gjyqtarit
varet jo vetëm nga qenia e tij, por dhe nga
shfaqja e tij i paanshëm dhe i pavarur, duke qenë
se roli i tij gjatë gjykimit duhet të jetë pasiv dhe
super partes (shih vendimet nr. 11, datë 5.4.2013; nr.
23, datë 4.11.2008 të Gjykatës Kushtetuese).
15. Në kushtet kur kërkuesi nuk ka paraqitur
ndonjë provë për të vërtetuar se gjyqtari SH.S. ka
pasur bindje personale ose interes në çështjen që
ka ndikuar në vendimin e gjykatës, paanshmëria
subjektive prezumohet. Për sa i përket paanshmërisë
objektive, duhet shqyrtuar nëse dyshimi i
ngritur nga kërkuesi është mjaftueshmërisht i
provueshëm dhe ky përfundim varet nga rrethanat
e çështjes konkrete. Nga rrethanat faktike
rezulton se gjyqtari Sh. S. ka qenë pjesë e trupit
gjykues në gjykimin e çështjes në shkallë të parë
që e ka deklaruar kërkuesin fajtor. Si pjesë e këtij
trupi gjykues gjyqtari Sh.S. ka shqyrtuar dhe
zgjidhur çështjen në themel, duke manifestuar
bindjen e tij lidhur me fajësinë e kërkuesit. Ai ka
qenë gjithashtu pjesë edhe e trupit gjykues që ka
gjykuar rekursin në dhomë këshillimi në
Gjykatën e Lartë. Në këtë rast, si pjesë e trupit
gjykues, ai ka vlerësuar në dhomë këshillimi
ekzistencën e shkaqeve për të kaluar apo jo
çështja për shqyrtim në seancë. Megjithatë edhe
pse si pjesë e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë
gjyqtari SH.S. ka vlerësuar vetëm plotësimin ose
jo të kërkesave ligjore për kalimin e çështjes për
shqyrtim në seancë gjyqësore, Gjykata çmon se
në rastin konkret ka vend për dyshime të
arsyeshme dhe mjaftueshëm të bazuara, në
drejtim të cenimit të paanshmërinë së gjykatës,
në aspektin objektiv. Gjyqtari SH.S. ka marrë
pjesë në shqyrtimin e çështjes ndaj të njëjtit
kërkues, të akuzuar për kryerjen e së njëjtës vepër
penale, si në gjykatën e shkallës të parë, ashtu
edhe në Gjykatën e Lartë.
16. Për pasojë, Gjykata vlerëson se dyshimi i
kërkuesit është i arsyeshëm dhe pretendimi i tij
për cenimin e parimit të paanshmërisë, në
aspektin objektiv, është i bazuar.
C. Për pretendimet e tjera të kërkuesit
17. Kërkuesi ka pretenduar se Gjykata e
Apelit në rigjykim nuk ka marrë parasysh detyrat
dhe udhëzimet e lëna nga Kolegji Penal i
Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 527, datë
19.11.2008. Ajo nuk ka verifikuar të gjitha
pretendimet e të pandehurve, nëpërmjet mbrojtësve
të tyre, për sa i takon sigurimit të provës
dhe seancës së marrjes së provës. Gjithashtu,
kërkuesi ka pretenduar se është cenuar parimi për
të mos u deklaruar fajtor mbi bazën e provave të
marra në mënyrë të paligjshme, pasi janë shkelur
rregullat procedurale për sigurimin dhe marrjen e
provës. Sipas kërkuesit, dëshmia është marrë pa u
respektuar rregullat e njoftimit të palëve, pa u
marrë parasysh pretendimet e avokatit mbrojtës
në lidhje me marrjen e dëshmisë nga e njëjta
gjyqtare, e cila kishte pranuar kërkesën për
sigurimin e provës.
18. Gjykata vlerëson të mos i analizojë këto
pretendime në kushtet kur, për shkak të cenimit
të parimit të gjykimit nga një gjykatë e paanshme,
çështja do të shqyrtohet përsëri në Gjykatën e
Lartë. Referuar natyrës së gjykimit kushtetues të
kërkesave individuale, Gjykata ka theksuar se
kontrolli i respektimit të standardeve kushtetuese
për një proces të rregullt ligjor është funksion
edhe i gjykatave të zakonshme, për më tepër i
Gjykatës së Lartë. Ky raport ndërmjet juridiksionit
kushtetues dhe juridiksionit të gjykatave të
zakonshme, kur është rasti i shqyrtimit nga ana e
Gjykatës Kushtetuese të kërkesave individuale në
bazë të nenit 131/f të Kushtetutës, udhëhiqet
nga parimi i subsidiaritetit (komplementaritetit). 
Gjykata nënvizon se roli i Gjykatës së Lartë, si
gjykatë e ligjit, është i një natyre të pazëvendë-
sueshme. Ajo i ka të gjitha mjetet dhe kompetencat
për ta bërë vetë këtë rol aktiv, që shkon
përtej ligjit dhe synon të drejtën, duke ndikuar
efektivisht edhe në vendimmarrjen e gjykatave të
shkallëve më të ulëta (shih vendimin nr. 62, datë
23.9.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
19. Si përfundim, për sa më sipër, Gjykata
vlerëson se pretendimi i kërkuesit për cenimin e
parimit të gjykimit nga një gjykatë e paanshme,
në aspektin objektiv, si një element i së drejtës
për një proces të rregullt ligjor, është i bazuar dhe
duhet pranuar.
 
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipë- risë, në mbështetje të neneve 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës, si dhe të nenit 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri4
,
VENDOSI:
- Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
- Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 00-2014-1066, datë 4.7.2014 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, vetëm për sa i përket kërkuesit.
- Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Anëtarë: Bashkim Dedja (kryetar), Vitore Tusha, Vladimir Kristo, Besnik Imeraj, Gani Dizdari, Fatmir Hoxha, Sokol Berberi, Fatos Lulo
 

Shfleto artikuj te tjere per: GJYKATA KUSHTETUESE VENDIM
Postuar nga: khoxha
ikub #:
1608050154