Tipi dhe numri i aktit  
Data e aktit Nga:    Deri:   
Numri i fletores zyrtare Nga:     Deri:    
 
   

✖Mbyll
Detajet e Aktit
Titulli: Vendim i Gjykates Kushtetuese Nr. 49, datë 22.7.2016
Tipi i Aktit: Vendim i GJK
Numri i Aktit: 49
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 22.07.2016
Data e aprovimit te Aktit: 22.07.2016
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 144
Data e fletores zyrtare: 02.08.2016
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Gjykata Kushtetuese
Pershkrimi i Aktit: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 00-2014-721 (153), datë 25.2.2014 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë.5
Tivari Studio
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:
VENDIM
Nr. 49, datë 22.7.2016
NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Gjykata Kushtetuese e Republikës së
Shqipërisë, e përbërë nga:
Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Vladimir Kristo anëtar i “ “
Sokol Berberi anëtar i “ “
Altina Xhoxhaj anëtare e “ “
Fatmir Hoxha anëtar i “ “
Besnik Imeraj anëtar i “ “
Fatos Lulo anëtar i “ “
Vitore Tusha anëtare e “ “
me sekretare Edmira Babaj, në datën 4.5.2016
mori në shqyrtim, mbi bazë dokumentesh,
çështjen nr. 22 Akti që i përket:
KËRKUESE: Shoqëria “Velaj” sh.p.k., përfaqësuar nga avokat Vangjel Kosta, me prokurë të posaçme.
SUBJEKTE TË INTERESUARA: Drejtoria Rajonale e Shërbimit te Transportit Rrugor Vlorë, Spitali Rajonal Vlorë, Avokatura e Shtetit
OBJEKTI: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 00-2014-721 (153), datë 25.2.2014 të Kolegji Administrativ të Gjykatës së Lartë.
BAZA LIGJORE: Nenet 42, 131/f, 132/1 dhe 134/1/g të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë; neni 6/1 i Konventës Evropiane për
të Drejtat e Njeriut; nenet 27, 28, 30 dhe 81/1 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”
 
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatoren e çështjes Vitore Tusha, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkueses, që kërkoi pranimin e kërkesës dhe pretendimet me shkrim të subjekteve të interesuara, që kërkuan rrëzimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
 
VËREN:
I
1. Kërkuesja është person juridik i regjistruar
me vendimin nr. 34241, datë 27.10.2005 të
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me objekt 
veprimtarie ‘Ruajtjen dhe sigurimin fizik të
objekteve publike dhe private...”, me seli në
qytetin e Vlorës.
2. Në vitin 2006 shoqëria “Velaj” sh.p.k. ka
lidhur një kontratë shërbimi me subjektin e
interesuar, Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të
Transportit Rrugor, Vlorë (në vijim “DRSHTRR,
Vlorë”), sipas së cilës kërkuesja do të kryente
transportin e vlerave monetare fillimisht për një
periudhë 1-vjeçare dhe më pas, sipas shtesës në
kontratë, shërbimi do të shtrihej deri në datën
31.12.2007. Mbas datës 6.5.2008 kërkuesja ka
lidhur edhe një kontratë tjetër me DRSHTRR-në
Vlorë, e cila ka zgjatur deri në vitin 2012.
3. Sipas kërkueses, shërbimet për subjektin e
interesuar janë kryer pa kontratë të shkruar, por
vetëm sipas marrëveshjes verbale, me qëllim
shlyerjen sa më shpejt të detyrimit financiar. Në
përfundim të kohës shtesë të kontratës, nga
DRSHTRR-ja Vlorë është kërkuar që në
mungesë të fondit kërkuesja të vazhdonte
kryerjen e shërbimeve, sepse objekti nuk mund të
lihej pa roje dhe, po ashtu, vlerat monetare nuk
mund të transportoheshin pa eskortë shoqërimi.
4. Kërkuesja ka lidhur kontratë për ofrimin e
të njëjtave shërbime si më sipër edhe me Spitalin
Rajonal Vlorë për periudhën nga 15.5.2007 deri
në 31.12.2007, kurse për periudhën nga 3.1.2008
deri 8.6.2008 palët nuk kanë lidhur kontratë me
shkrim, meqenëse kanë rënë dakord verbalisht
për zgjatjen e afatit të kontratës me të njëjtat
kushte.
5. Me pretendimin se subjektet e interesuara
nuk e kishin paguar për shërbimet e kryera,
kërkuesja i është drejtuar Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Vlorë me kërkesëpadi me objekt
“Detyrimin e të paditurës, DRSHTRR-së Vlorë të
paguajë shumën prej 1 022 280 lekësh të rinj; detyrimin
e Spitalit Rajonal Vlorë të paguajë shumën prej 1 741
664 lekësh të rinj.”.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me
vendimin nr. 2478, datë 14.10.2008, ka vendosur
rrëzimin e kërkesëpadisë.
7. Gjykata e Apelit Vlorë, pasi ka marrë në
shqyrtim ankimin e kërkueses, me vendimin nr.
137, datë 13.5.2009, ka vendosur ndryshimin e
vendimit nr. 2478, datë 14.10.2008 të Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe duke e gjykuar
çështjen në fakt ka vendosur: “Detyrimin e së
paditurës DRSHTRR, Vlorë t’i paguajë paditësit
shumën prej 1.126.736 lekësh; detyrimin e së paditurës
Spitali Rajonal Vlorë t’i paguajë paditësit shumën prej
1.824.000 lekësh.”.
8. Subjekti i interesuar, DRSHTRR-ja ka
paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë për ndryshimin
e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe
lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Vlorë. Kolegji Administrativ i Gjykatës
së Lartë, me vendimin nr. 00-2014-721, datë
25.2.2014, ka vendosur prishjen e vendimit nr.
137, datë 13.5.2009 të Gjykatës së Apelit Vlorë
dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 2478, datë
14.10.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Vlorë.
 
II
9. Kërkuesja i është drejtuar Gjykatës
Kushtetuese në datën 29.1.2016 me kërkesë për
shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Administrativ
të Gjykatës së Lartë, duke parashtruar në mënyrë
të përmbledhur si vijon:
9.1 Është cenuar e drejta e aksesit, si dhe parimi i
kontradiktoritetit gjatë procesit gjyqësor në
Gjykatën e Lartë, i cili është zhvilluar vetëm në
prani të Avokaturës së Shtetit si përfaqësuese e
palëve të paditura. Kolegji Administrativ nuk ka
marrë masa për njoftimin individual të kërkueses
(palë private), e cila ndryshe nga Avokatura e
Shtetit (palë publike), me përfaqësi të përhershme
pranë Gjykatës së Lartë, nuk ka pasur
mundësi të marrë dijeni për zhvillimin e procesit
gjyqësor. Për rrjedhojë, kërkuesja është vendosur
në disavantazh, pasi nuk ka pasur mundësi të
barabarta me palët e tjera për ballafaqimin e
provave apo të opinioneve. Kolegji Administrativ
ka gjykuar vetëm mbi pretendimet e palës rekursuese,
pa i dhënë mundësi kërkueses të njihet me
pretendimet dhe të shprehet në lidhje me to.
9.2 Është cenuar parimi i gjykatës së caktuar me
ligj, sepse Kolegji Administrativ është shprehur
në dispozitiv edhe për ndryshimin e detyrimit të
Spitalit Rajonal Vlorë, ndonëse kjo palë e paditur
nuk kishte paraqitur rekurs. Edhe pse paditë janë
bashkuar e gjykuar njëkohësisht, në disa raste
bashkimi i gjykimeve nuk mund të mohojë
ekzistencën e dy çështjeve të ndryshme e të
pavarura nga njëra-tjetra, ku zgjidhja e njërës nuk
kushtëzon zgjidhjen e tjetrës. Kolegji Administrativ
nuk ka mbajtur parasysh as qëndrimin e
Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila ka disponuar në 
mënyrë individuale për detyrimin e secilës palë të
paditur.
9.3 Është cenuar parimi i sigurisë juridike, sepse
ndryshimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë,
si vendim i formës së prerë, edhe për sa i takon
detyrimit të Spitalit Rajonal Vlorë, në kushtet e
mosparaqitjes së rekursit nga ajo palë e paditur,
bie ndesh me pritshmëritë e ligjshme të
kërkueses për moscenimin e të drejtave të fituara
me vendim gjyqësor.
10. Subjekti i interesuar, Avokatura e Shtetit,
ka pretenduar rrëzimin e kërkesës, duke prapësuar
në mënyrë të përmbledhur me shkrim si vijon:
10.1 Pretendimi për cenimin e aksesit në gjykatë
dhe të parimit të kontradiktoritetit është i pabazuar,
pasi Gjykata e Lartë ka vepruar në përputhje me
parashikimet e dispozitave ligjore për njoftimin e
palëve, duke i realizuar ato sipas rregullimeve
përkatëse. Nga aktet e dosjes gjyqësore rezulton se
rekursi i është komunikuar kërkueses, e cila nuk ka
paraqitur kundërrekurs brenda afatit ligjor, sipas
parashikimeve të nenit 59 të ligjit nr. 49/2012. Në
këtë kuptim, kërkuesja ka pasur mundësi të
paraqesë argumente dhe të mbrohet kundër
pretendimeve të palës kundërshtare.
10.2 Edhe pretendimi për cenimin e parimit të
gjykatës së caktuar me ligj është i pabazuar, për
faktin se Kolegji Administrativ nuk ka marrë prova,
por e ka shqyrtuar çështjen në drejtim të
ligjshmërisë dhe bazueshmërisë së vendimeve të
ankimuara, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës
së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
10.3 Po ashtu, i pabazuar është edhe pretë-
ndimi për cenimin e parimit të sigurisë juridike,
sepse bazuar në shkakun e njëjtë ligjor dhe
përputhshmërinë e plotë të themelit të pretendimeve
në të dyja çështjet, ato janë bashkuar që në
fillim të procesit gjyqësor, i cili ka ndjekur këtë
logjikë deri në përfundimin e tij. Nga këndvë-
shtrimi i procesit të rregullt ligjor do të ishte e
papranueshme që Kolegji Administrativ të
mbante qëndrime të ndryshme për të njëjtën
çështje, siç pretendon kërkuesja.
11. Subjekti i interesuar, Drejtoria e
Spitalit Rajonal Vlorë, ka paraqitur me shkrim
këto prapësime:
11.1 Pretendimi i kërkueses për cenimin e së
drejtës për akses në gjykim është i pabazuar, pasi
nga interpretimi gramatikor, logjik dhe sistematik
i neneve 141 dhe 141/a të KPC-së, mbi
njoftimin e personave juridikë, del qartë se njoftimi
përmes shpalljes, në rast se njoftimi dorazi
nuk është i mundur, përbën një mënyrë ligjore
dhe të përdorur nga gjykatat e të gjitha niveleve.
Gjykata e Lartë nuk mund të vazhdojë pambarim
përpjekjet për t’i dorëzuar personalisht njoftimin
palëve, pasi kjo do të çonte në zvarritjen e
procesit, duke cenuar shpejtësinë e tij.
11.2 Për sa i takon pretendimit për cenimin e
parimit të gjykatës së caktuar me ligj ai nuk është
ngritur në nivel kushtetues, pasi argumentet e
parashtruara nuk provojnë lidhjen midis
mungesës së rekursit nga Spitali Rajonal Vlorë
dhe cenimit të këtij aspekti të procesit të rregullt
ligjor.
11.3 Po ashtu i pabazuar është edhe pretë-
ndimi për cenimin e parimit të sigurisë juridike,
pasi argumentet e kërkueses janë bazuar në
interpretimin e gabuar të dispozitave procedurale,
konkretisht të neneve 466/1 dhe 469 të
KPC-së. Vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, që
ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Vlorë, ka qenë titull ekzekutiv që në
momentin e marrjes së tij si në raport me
DRSHTRR-në ashtu dhe me Spitalin Rajonal
Vlorë.
12. Subjekti i interesuar, Drejtoria Rajonale
e Shërbimit të Transportit Rrugor Vlorë,
ka prapësuar se pretendimet e kërkueses janë të
pabazuara, pasi rekursi është shqyrtuar nga
Gjykata e Lartë pa praninë e palëve, duke respektuar
afatet e parashikuara në ligj dhe procedurat e
njoftimit.
 
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Për legjitimimin e kërkueses
13. Gjykata paraprakisht konstaton se kërkuesja
është person juridik dhe si i tillë, bazuar në
jurisprudencën kushtetuese, ajo mund të jetë
subjekt i të drejtave dhe lirive kushtetuese në
nivel të kufizuar “për aq sa përputhen me qëllimet e
përgjithshme të këtyre personave dhe me thelbin e këtyre të
drejtave, lirive dhe detyrimeve”, në kuptim të nenit
16/2 të Kushtetutës. Disa nga këto liri dhe të
drejta nuk është e mundur t’i atribuohen një
personi juridik, për shkak të thelbit të tyre ose
qëllimit për të cilin ligji i ka dhënë jetë personit
juridik. Për sa u përket të drejtave të tjera,
personi juridik mund të jetë subjekt i tyre në atë 
masë dhe në atë kuptim që ato lehtësojnë
gëzimin e plotë të këtyre të drejtave dhe lirive për
individët (shih vendimin nr. 19, datë 9.7.2009 të
Gjykatës Kushtetuese).
14. Për të vlerësuar legjitimimin e personave
juridikë, Gjykata bazohet në të njëjtat elemente
që merren në konsideratë për legjitimimin e
individëve, në referim të neneve 131/f, 134/1/g
dhe 134/2 të Kushtetutës. Në këtë kuptim,
kërkuesja, shoqëria “Velaj” sh.p.k., mund të vërë
në lëvizje juridiksionin kushtetues për çështje që
lidhen me interesat e saj, kur pretendon se i janë
cenuar të drejtat kushtetuese për një proces të
rregullt ligjor, pasi të ketë shteruar të gjitha
mjetet juridike. Kërkesat për shkeljen e të drejtave
kushtetuese paraqiten jo më vonë se 2 vjet
nga konstatimi i shkeljes, rregull ky i parashikuar
nga neni 30/2 i ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000,
“Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
15. Në vështrim të standardeve të mësipërme
dhe bazuar në rrethanat e çështjes, Gjykata
vlerëson se kërkuesja i përmbush kriteret për
legjitimimin ratione personae, pasi pretendimet e saj
përfshihen në rregullimin kushtetues të neneve
131/f dhe 134/g të Kushtetutës dhe ratione
temporis, pasi kërkesa është paraqitur brenda afatit
2-vjeçar.
16. Në lidhje me legjitimimin ratione materiae,
Gjykata ka theksuar se bazuar në nenin 131/f të
Kushtetutës ajo vendos për gjykimin përfundimtar
të ankesave të individit për shkeljen e së
drejtës kushtetuese për një proces të rregullt
ligjor, pasi ai të ketë shteruar të gjitha mjetet
juridike për mbrojtjen e kësaj të drejte, çka
nënkupton se kërkuesi duhet t’i shfrytëzojë, në
shkallët e sistemit gjyqësor, të gjitha mjetet e
lejueshme dhe mundësitë procedurale për
vendosjen në vend të së drejtës së pretenduar.
Mjetet ligjore konsiderohen të shteruara kur, në
varësi të rrethanave të çështjes, rregullat
procedurale nuk parashikojnë mjete të tjera ankimi
(shih vendimet nr. 48, datë 6.7.2015; nr. 25, datë
10.5.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Gjykata Kushtetuese
ndërhyn në ato raste kur, përmes veprimeve
të tyre, gjykatat e zakonshme cenojnë të drejtën për
një proces të rregullt ligjor. Në këto raste, Gjykata
nuk bën rivlerësimin e fakteve dhe të rrethanave,
por një vlerësim të natyrës kushtetuese, të
dallueshëm nga ai i gjykatave të juridiksionit të
zakonshëm. Gjykata e analizon ligjin, faktin dhe
rrethanën përkatëse në atë dimension që ka ndikim
mbi të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet 42
dhe 131/f të Kushtetutës, gjë e cila përbën juridiksionin
e saj kushtetues. Detyra e Gjykatës nuk është
zgjidhja e një mosmarrëveshjeje juridike për çështje
fakti, por identifikimi i fakteve të natyrës kushtetuese,
të cilat shërbejnë për realizimin e kompetencave
të saj dhe përbëjnë elementin thelbësor në
përcaktimin e autoritetit të një gjykimi kushtetues.
Në këtë kuptim, interpretimi i ligjit, zbatimi i tij në
çështjet konkrete, si dhe vlerësimi i fakteve dhe
rrethanave janë çështje që ndajnë juridiksionin e
gjykatave të zakonshme nga juridiksioni kushtetues
(shih vendimin nr. 2, datë 26.1.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
 
17. Në rastin në shqyrtim, Gjykata konstaton
se kërkuesja, shoqëria “Velaj” sh.p.k., nuk ka në
dispozicion mjet tjetër për të kundërshtuar
vendimin e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së
Lartë. Për këtë arsye ajo legjitimohet t’i drejtohet
me kërkesë kësaj Gjykate. Gjithashtu, Gjykata
çmon se pretendimet e kërkueses për cenimin e
së drejtës së aksesit, kontradiktoritetit, gjykatës së
caktuar me ligj dhe sigurisë juridike, prima facie
bien në fushën e veprimit të nenit 42 të
Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, prandaj
ato do të shqyrtohen në vijim në këndvështrim të
standardeve që imponon procesi i rregullt ligjor
në kuptimin kushtetues.
B. Për pretendimin e cenimit të së drejtës për akses
dhe të parimit të kontradiktoritet në Gjykatën e Lartë
18. Kërkuesja ka pretenduar se Kolegji
Administrativ nuk ka marrë masa për njoftimin
efektiv individual të saj si palë private, ndërkohë
që Avokatura e Shtetit, palë publike dhe me
përfaqësi të përhershme pranë Gjykatës së Lartë,
ka pasur mundësi të marrë dijeni për zhvillimin e
procesit gjyqësor. Sipas kërkueses, si rezultat i
mosnjoftimit asaj i është mohuar e drejta e ballafaqimit
të provave apo të opinioneve me palët e
tjera të pranishme, sepse Kolegji Administrativ
ka gjykuar vetëm mbi pretendimet e palës rekursuese,
pa i dhënë mundësi asaj të njihet me
pretendimet dhe të shprehet në lidhje me to.
19. Gjykata në jurisprudencën e saj ka përçaktuar
disa standarde kushtetuese, të cilat janë të
lidhura nga pikëpamja organike dhe funksionale
me njëra-tjetrën në mënyrë të tillë që cenimi i
njërit standard ndikon në mënyrë të pashmang-
shme në cenimin e të tjerëve. Konkretisht, e
drejta për t’u njoftuar për një gjykim dhe
pjesëmarrja në të është e lidhur me vendimmarrjen
e gjykatës, e cila ndikon drejtpërsëdrejti
mbi të drejtat subjektive ose interesat e ligjshëm
të individit. E drejta për t’u njoftuar për të marrë
pjesë në gjykim u paraprin të drejtave të tjera,
pasi nëse pala ndërgjyqëse nuk njoftohet për
datën dhe orën e seancës, ajo detyrimisht do të
gjendet në pamundësi objektive për të ushtruar të
drejtat që i garantohen nga neni 42 i Kushtetutës
në kuadrin e një procesi të rregullt ligjor. Nga ana
tjetër, e drejta për të marrë pjesë në gjykim krijon
të njëjtat mundësi për të paraqitur prova dhe
argumente në mbrojtje të interesave vetjakë në
raport me palën kundërshtare (shih vendimet nr. 31,
datë 26.5.2014; nr. 21, datë 4.4.2016 të Gjykatës
Kushtetuese).
20. Parimi i barazisë së armëve nënkupton se
çdokush që është palë në proces duhet të ketë
mundësi të barabarta që të paraqesë çështjen e tij.
E drejta për të marrë pjesë në gjykim nuk duhet
konsideruar si një e drejtë formale, ku palëve t’u
garantohet thjesht prania fizike gjatë procesit
civil, por duhet që legjislacioni procedural, në
radhë të parë dhe më pas gjyqtari gjatë gjykimit
t’u japin mundësi të barabarta palëve për të paraqitur
argumente dhe prova në mbrojtje të interesave
të tyre. Nëse nuk do të ekzistonte barazia e
armëve në gjykimin civil, atëherë argumentet e
njërës palë do të prevalonin mbi argumentet e
palës së cenuar dhe, për rrjedhojë, e drejta për të
marrë pjesë në gjykim do të zhvishej nga funksioni
i saj kushtetues për të garantuar një proces
të rregullt ligjor (shih vendimin nr. 34, datë
29.5.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
21. Gjykata rithekson se shqyrtimi i çështjes
dhe nxjerrja e konkluzioneve nga gjykata vetëm
mbi bazën e provave të paraqitura nga një palë,
pa dëgjuar pretendimet e komentet e palës tjetër,
e bën procesin gjyqësor të cenueshëm. E drejta
për një proces të rregullt gjyqësor përfshin edhe
nocionin se të dyja palët në proces kanë të drejtë
të kenë informacion për faktet e argumentet e
palës kundërshtare, që nënkupton në parim
mundësinë që palët në një seancë civile apo
penale të kenë njohuri edhe për komentet mbi
provat e nxjerra (shih vendimin nr. 17, datë
18.7.2005 të Gjykatës Kushtetuese). Bazuar në këto
parime, gjykatës i dalin një sërë detyrash, mes të
cilave rëndësi të veçantë merr krijimi i mundësive
të barabarta për pjesëmarrjen e palëve apo përfaqësuesve
të tyre në proces, si dhe mundësia e
deklarimit të tyre për faktet, provat dhe vlerë-
simet ligjore që janë të lidhura ngushtë me
çështjen që shqyrtohet në gjykatë (shih vendimin nr.
34, datë 29.5.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
22. Duke iu rikthyer çështjes konkrete,
Gjykata konstaton se ka qenë vetëm subjekti i
interesuar, Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të
Transportit Rrugor, Vlorë që ka paraqitur
fillimisht rekurs të shkurtuar në datën 3.6.2009,
kurse rekursi i plotë është depozituar në datën
15.7.2009. Gjykata e Lartë, me shkresën nr. V-
87prot., datë 17.7.2009, me lëndë “Kthim rekursi”,
ia ka kthyer kopjen e rekursit DRSHTRR-së,
ndërkohë në shkresën e datës 22.7.2009 vërehet
shënimi me shkrim dore “t’i dërgohen aktet Gjykatës
së Rrethit Gjyqësor Vlorë”. Në dosje gjendet edhe
një shkresë e Gjykatës së Apelit Vlorë e datës
24.7.2009 me lëndë “Dërgim rekursi” drejtuar
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me
shënimin, midis të tjerash, “Dosja është përcjellë në
gjykatën tuaj në datën 13.7.2009”. Nga dëftesa e
komunikimit të rekursit e datës 19.8.2009
konstatohet se kërkuesja ka marrë dijeni në datën
2.9.2009, shkresë e cila është nënshkruar nga
administratori i shoqërisë.
23. Gjykata, gjithashtu, vëren se Kolegji Civil i
Gjykatës së Lartë, pasi ka marrë në shqyrtim
çështjen civile në dhomë këshillimi, në datën
30.6.2011 ka vendosur kalimin për gjykim të
rekursit të paraqitur nga pala e paditur,
DRSHTRR-ja. Çështja është gjykuar në seancë
plenare publike në datën 25.2.2014 nga Kolegji
Administrativ i Gjykatës së Lartë. Sipas procesverbalit
të seancës gjyqësore konstatohet se
kërkuesja nuk është paraqitur, por “ka dijeni me
anë të shpalljes dhe shkak për mosparaqitje nuk ka”,
kurse dy subjektet e interesuara kanë qenë të
përfaqësuara nga Avokatura e Shtetit, përfaqë-
suesi i së cilës ka lexuar dhe ka dorëzuar
parashtresën me shkrim, që është administruar
në dosjen gjyqësore. Në përfundim të procesit
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka
vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së
Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të Gjykatës së
Shkallës së Parë.
24. Referuar rrethanave të çështjes, Gjykata
konstaton se kuadri ligjor procedural, mbi bazën 
e të cilit Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka
marrë në shqyrtim rekursin në dhomën e
këshillimit, si dhe ka vendosur kalimin e tij për
gjykim në seancë publike ka qenë Kodi i
Procedurës Civile, i cili lidhur me njoftimin e
palëve në nenin 482 parashikon se sekretaria e
Gjykatës së Lartë shpall listat e shqyrtimit të
rekurseve të paktën 15 ditë përpara datës së
shqyrtimit. Ndërkohë, rekursi është gjykuar nga
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në
seancë gjyqësore, me praninë e palëve, sipas
rregullave të parashikuara nga ligji nr. 49/2012,
“Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave
administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve
administrative”.
25. Gjykata, referuar rrethanave të çështjes,
vlerëson se në rastin konkret rregullat procedurale
për njoftimin e palëve për gjykimin e
çështjes në Gjykatën e Lartë janë ato që
përcakton neni 62 i ligjit nr. 49/2012, sipas të
cilit vendimi i Kolegjit për gjykimin e çështjes në
seancë gjyqësore me praninë e palëve, si dhe data
e ora e seancës gjyqësore u njoftohen palëve nga
sekretaria gjyqësore, të paktën 15 ditë para datës
së zhvillimit të seancës gjyqësore.
26. Gjykata në jurisprudencën e saj ka
theksuar se qëllimi i ligjvënësit në krijimin e
gjykatave administrative ka qenë thjeshtimi i
procedurave me objekt zgjidhjen e mosmarrë-
veshjeve administrative, por duke garantuar
mbrojtjen efektive të të drejtave subjektive dhe
interesave të ligjshëm të personave nëpërmjet një
procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të
shpejta e të arsyeshme. Po ashtu, Gjykata ka
vlerësuar se Gjykata e Lartë, pavarësisht nëse i
shqyrton çështjet në seancë të hapur publike apo
mbi bazë dokumentesh, ka detyrimin të
verifikojë nëse palët në proces kanë marrë dijeni
efektivisht për rekursin dhe procesin, me qëllim
garantimin e së drejtës së mbrojtjes dhe barazisë
së armëve në gjykim (shih vendimin nr. 21, datë
4.4.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
27. Në vështrim sa më sipër, Gjykata çmon se
jo vetëm për shkak të periudhës së gjatë kohore
nga marrja dijeni për depozitimin e rekursit në
zhvillimin e seancës publike (2009–2014), por
veçanërisht duke marrë parasysh faktin se rekursi
është marrë në shqyrtim sipas një kuadri të
ndryshëm ligjor procedural, ka arsye për të arritur
në përfundimin se Kolegji Administrativ nuk ka
marrë masat e nevojshme për t’i garantuar
kërkueses të drejtën për t’u dëgjuar dhe për t’u
mbrojtur nëpërmjet dhënies së mundësisë së
paraqitjes së prapësimeve të saj, duke mos
respektuar për rrjedhojë të drejtën për një proces
të rregullt ligjor në drejtim të respektimit të
parimit të barazisë së armëve dhe
kontradiktoritetit në gjykim.
28. Në përfundim, Gjykata vlerëson se në
rastin konkret Kolegji Administrativ i Gjykatës së
Lartë, duke vendosur vetëm mbi bazën e
pretendimeve të parashtruara në rekurs nga
subjekti i interesuar, DRSHTRR-ja, pa i dhënë
mundësi konkrete efektive kërkueses që të
paraqiste pretendimet e saja në lidhje me
çështjen, e ka vendosur atë në një pozitë të
pabarabartë në raport me palën tjetër. Në këtë
kuptim, Gjykata vlerëson se pretendimi i
kërkueses është i bazuar dhe kërkesa duhet të
pranohet.
C. Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimeve
të gjykatës së caktuar me ligj dhe të sigurisë juridike
29. Kërkuesja ka pretenduar se Kolegji
Administrativ i Gjykatës së Lartë ka tejkaluar
kompetencat e përcaktuara në nenin 63/b të ligjit
nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin
e gjykatave administrative dhe zgjidhjen e
mosmarrëveshjeve administrative”, sepse ka
prishur vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë edhe
në pjesën që dispononte mbi detyrimin e Spitalit
Rajonal Vlorë, pavarësisht mosparaqitjes së
rekursit nga ky subjekt i interesuar. Për rrjedhojë,
është cenuar edhe parimi i sigurisë juridike, sepse
vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë ishte i formës
së prerë sa u takon të drejtave të fituara ndaj
Spitalit Rajonal Vlorë.
30. Gjykata ka vlerësuar se një nga elementet
e procesit të rregullt ligjor, sipas nenit 42 të
Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, është
edhe shqyrtimi i çështjes nga një “gjykatë e caktuar
me ligj”. Ky element karakterizohet nga funksioni
i saj gjyqësor, që ka të bëjë me zgjidhjen e
çështjeve nga organe të ngarkuara me ligj për të
dhënë drejtësi. Përveç këtij kushti, këto organe
duhet të shqyrtojnë dhe të vendosin mbi çështje
që janë në kompetencë të tyre gjatë një procesi të
zhvilluar mbi një procedurë ligjërisht të
përcaktuar dhe në pajtim me rendin juridik. E
drejta e çdo pale për t’u dëgjuar në seancë
përpara një gjykate kompetente dhe të caktuar 
me ligj, nënkupton që gjykata të ketë juridiksion
për të gjykuar çështjen dhe që kompetenca për të
vendosur për të t’i jetë njohur nëpërmjet ligjit
(shih vendimin nr. 21, datë 4.4.2016 të Gjykatës
Kushtetuese).
31. Gjykata e Lartë, për shkak të pozicionit
dhe rolit të saj si gjykatë ligji, shqyrton rekurset
për pretendime të shkeljes së ligjit material ose
procedural, gjë që përbën funksionin kryesor të
saj. Ajo analizon çështjen në drejtim të kontrollit
të ligjshmërisë dhe bazueshmërisë së vendimeve
të ankimuara. Një kontroll i tillë konsiston në
analizën e plotë të fakteve dhe të rrethanave, të
cilat janë pranuar më parë si të vërteta nga
gjykata e faktit dhe ajo e apelit, pa i ndryshuar ato
(shih vendimin nr. 7, datë 9.3.2009; nr. 17 datë
10.4.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
32. Duke iu rikthyer çështjes konkrete,
Gjykata vëren se kundër vendimit të Gjykatës së
Apelit Vlorë ka paraqitur rekurs vetëm njëri nga
subjektet e interesuara, konkretisht DRSHTRRja.
Ky fakt konfirmohet edhe referuar përmbajtjes
së vendimit të Kolegjit Civil të Gjykatës së
Lartë që ka vendosur kalimin e çështjes për
gjykim në seancë gjyqësore, si dhe të Kolegjit
Administrativ që ka gjykuar rekursin dhe ka
vendosur prishjen e vendimit nr. 137, datë
13.5.2009 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien
në fuqi të vendimit nr. 2487, datë 14.10.2008 të
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
33. Bazuar në rrethanat e mësipërme, Gjykata
vlerëson se Kolegji Administrativ i Gjykatës së
Lartë, pavarësisht mosparaqitjes së rekursit nga
Spitali Rajonal Vlorë kundër vendimit të
Gjykatës së Apelit Vlorë, ka shqyrtuar kryesisht,
pra me nismën e vet, ligjshmërinë dhe bazueshmërinë
e vendimit të ankimuar nga DRSHTRRja
edhe ndaj situatës faktike e ligjore të subjektit
të interesuar, Spitalit Rajonal Vlorë. Për rrjedhojë,
Gjykata çmon se Kolegji Administrativ i
Gjykatës së Lartë ka cenuar parimin e gjykatës së
caktuar me ligj.
34. Po ashtu, Gjykata çmon të bazuar edhe
pretendimin e kërkueses për cenimin e parimit të
sigurisë juridike në drejtim të pritshmërive të
ligjshme që kishte krijuar për të vendimi i
Gjykatës së Apelit Vlorë. Jurisprudenca kushtetuese
konceptin e sigurisë juridike, të së drejtës së
fituar, të pritshmërisë së ligjshme dhe të besimit
të qytetarëve te shteti i referon te parimi i shtetit
të së drejtës. Për sa u përket të drejtave të fituara
si element i parimit të sigurisë juridike, Gjykata
është shprehur se çdo proces ku vihen në dyshim
të drejtat e fituara, nuk mund të konsiderohet se
qëndron jashtë nocionit të “procesit të rregullt”,
përderisa diskutohet e vendoset lidhur me këto të
drejta të fituara. Ky parim është i detyrueshëm të
respektohet në të gjitha fazat e një procesi ku
pretendohet cenimi i të drejtave të fituara dhe
siguria juridike që rrjedh prej tyre (shih vendimet nr.
20, datë 29.9.2008; nr. 38, datë 15.4.2014 të
Gjykatës Kushtetuese).
35. Gjykata rithekson se në gjykimin kushtetues
të kërkesave individuale, parimi i sigurisë
juridike është vlerësuar në harmoni me parimin e
gjësë së gjykuar (res judicata), parim i cili pengon
dhënien e çdo vendimi të ri mbi atë që është
gjykuar. Cenimi i parimit të gjësë së gjykuar do të
çonte në cenimin e të drejtave, lirive dhe
interesave kushtetuese e ligjore të garantuara nga
neni 42 i Kushtetutës, pra në cenim të vetë
sigurisë juridike. Siguria juridike nënkupton,
ndërmjet të tjerash, garantimin e besueshmërisë
së individit te shteti, institucionet e tij dhe tek
aktet që ato nxjerrin. Ndërsa, në rastin e
vendimeve gjyqësore të formës së prerë, siguria
juridike nënkupton që në rastet kur gjykata ka
vendosur përfundimisht për një çështje, vendimi
i saj nuk duhet të vihet në dyshim. Kur vendimi
ka marrë formë të prerë, ai është i detyrueshëm
për palët, trashëgimtarët e tyre, për personat që
tërheqin të drejta nga palët, për gjykatën që ka
dhënë vendimin dhe për të gjitha gjykatat dhe
institucionet e tjera. Asnjë gjykatë nuk mundet të
gjykojë sërish të njëjtën padi kundrejt të njëjtave
palë (shih vendimet nr. 23, datë 8.6.2007; nr. 7 datë
10.2.2014; nr. 12 datë 17.3.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
Edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të
Njeriut ka nënvizuar se parimi në bazë të të cilit
një vendim përfundimtar i formës së prerë është
gjë e gjykuar dhe zgjidh mosmarrëveshjen midis
palëve me një efekt përfundimtar, është një
element themelor i gjykimit të drejtë, që garantohet
nga neni 6 i Konventës në çështjet civile.
Parimi i sigurisë juridike dikton që kur një
mosmarrëveshje civile është shqyrtuar në themel
nga gjykata, vendimi i saj nuk vihet më në
diskutim (shih vendimin nr. 77, datë 22.12.2015
Gjykatës Kushtetuese).
36. Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson se
prishja e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë,
pavarësisht se Spitali Rajonal Vlorë nuk kishte
paraqitur pretendime në lidhje me detyrimin
financiar kundrejt kërkueses, ka krijuar pasoja të
tilla që e vendosin atë (kërkuesen) në një situatë
të pasigurt nga pikëpamja juridike.
37. Për arsyet e mësipërme, Gjykata arrin në
përfundimin se procesi i zhvilluar në Kolegjin
Administrativ të Gjykatës së Lartë nuk ka
respektuar të drejtën e kërkueses për një proces
të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 42 të
Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.
 
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës, si dhe të neneve 72 e
vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri,
 
VENDOSI:
- Pranimin e kërkesës.
- Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 00-2014-721 (153), datë 25.2.2014 të
Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë.5
- Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Anëtarë: Bashkim Dedja (kryetar), Sokol Berberi, Vladimir Kristo, Besnik Imeraj, Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj, Vitore Tusha, Fatos 

Shfleto artikuj te tjere per: GJYKATA KUSHTETUESE VENDIM
Postuar nga: khoxha
ikub #:
1608050156