Drejtori i “Agon Channel” letër të hapur ambasadorit amerikan: Po na mohohet fjala dhe paga

13 Gsh 15

Andi Bejtja, Drejtori Editorial i Agon Channel, televizion i cili është nën sekuestro nga ana e prokurorisë, i shkruan letër të hapur ambasadorit Donald Lu.

 
0
0
Shqetësimi i puonjësve të televizionit Agon Channel i përcillet edhe ambasadorit amerikan Donald LU. Nëpërmjet një letre të hapur, Andi Bejtja, Drejtori Editorial i kanalit i cili është nën sekuestron e prokurorisë, kërkon ndihmën e ambasadorit për tejkalimin e kësaj problematike dhe mbi të gjitha siç thotë ai, në mbrojtjen e dy vlerave dhe të drejtave themelore të njeriut, fjalën dhe pagën.  
 
LETRA E PLOTE
 
I nderuar z. Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i dashur z. Lu,
 
Përmes kësaj letre të parë publike për mua, në cilësinë e babit të tre fëmijëve, gazetarit me një eksperiencë 30-vjeçare dhe së fundmi drejtorit editorial të kanalit televiziv “Agon Channel”, po ju drejtohem për të ndarë me Ju shqetësimin dhe alarmin jo vetëm timin personal, por edhe të 300 punonjësve të këtij kanali dhe të familjeve të tyre, për disa çështje të cilat po kalojnë çdo kufi të të drejtave të njeriut dhe të parimeve themelore të demokracisë.
 
Me bindjen se jeni në dijeni dhe i informuar për të ashtuquajturën “Çështja Becchetti”, e cila praktikisht është në të njëjtën kohë dhe “Çështja Agon Channel”, do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që këtë letër të hapur publike ta konsideroni si një shqetësim të këtyre qindra profesionistëve dhe të familjeve të tyre dhe jo si një kërkesë për përfshirjen tuaj në punën e pavarur të institucioneve ligjzbatuese shqiptare, çka fatkeqësisht nuk është rasti i Kryeministrit shqiptar. Gjithsesi, mbetet në gjykimin tuaj dhe të institucionit që ju përfaqësoni nëse vlen një reagim ndaj deklaratave skandaloze të Kryeministrit tonë në lidhje me këtë çështje siç është ajo e “akuzës dhe e verdiktit” nga ana e tij, përpara se çështja të kalojë në gjykatë apo kur prokuroria flet vetëm për “dyshime”. Megjithëse të gjithë e kemi të qartë që kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës demokratike, madje përfshirë edhe vende me probleme të theksuara totalitarizmi, mbase do të quhej luks të pretendoja reagim mbi këto deklarata nga institucionet e huaja, pasi kjo kërkon vërtet një sitë të hollë demokracie.
Për parantezë, zoti Ambasador, jam i bindur, ashtu si edhe shumë shqiptarë të tjerë, apo kushdo qytetar i i botës, edhe ju do të binit dakord, që do të ishte demokratike, ligjore e për më tepër humane, që teksa “Çështja Becchetti” të zhvillohej si proces në gjykatat e Shqipërisë apo të botës, të vazhdonte puna në këtë televizion dhe në këtë institucion.
 
I nderuar z. Ambasador, më lejoni t’ju bëj me dije se për shkak të atyre deklaratave terrorizuese për këdo nga ana e Kryeministrit, e përkthyer në një tendence të hapur madje agresive të strukturave të shtetit, në mbi tre muaj i gjithë stafi i kësaj medieje nuk arrin të marrë rrogat dhe pagesat që i takojnë. Edhe pse, mbas sekuestros të kryer ndaj aseteve të pronarit të Agon Channel-it, barra e administratorit i binte shtetit të jepte pagat bazuar në kontratat individuale, janë po këto struktura që, përveçse nuk kanë asnjë angazhim për të kryer detyrimet, bëjnë të pamundurën për të bllokuar dhe përkeqësuar gjendjen financiare të të gjithë punonjësve të këtij kanali. Duke ju referuar Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, mbi të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së pagës, thënë shqip, të të jetuarit, e duke çmuar vlerësimin dhe rëndësinë që i japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës kësaj deklarate, shpreh shqetësimin për shkeljen me të dyja këmbët nga qeveria të këtyre pikave dhe, për më tepër, alarmin për rikthimin e censurës pa kompromis e mëshirë të çdo zëri që këshillon apo kritikon për arritjet dhe dështimet e qeverisë, saktësisht siç ndodhte këtu e 30 vite më parë.
 
Duke mos u mjaftuar vetëm me embargon financiare që i bëhet çdo ditë medies ku janë të punësuar qindra njerëz, e që rezulton në muaj e muaj pune në kushtet e presionit ekonomik dhe psikologjik të këtyre familjeve, makineria e strukturave kundër fjalës së lirë vijon edhe me shkeljen e çdo ligji, qoftë edhe ai ii lëvizjes së lirë të njerëzve. Së fundmi, pajisja e çdo pike kufitare shqiptare, përmes urdhrave verbalë, me emrat dhe të dhënat e të gjithë punonjësve të Agon Channel-it, si të ishin celula terroriste apo kriminelë në kërkim, vetëm për të shtuar presionin psikologjik ndaj nesh, përbën rastin e fundit flagrant të sjelljes së kësaj qeverisjeje ndaj fjalës së lirë.
Edhe pse them rasti i fundit, fundit nuk iu dika kurrë.
I nderuar z. ambasador, në karrierën time pothuajse 30- vjeçare, njëkohësisht dhe si ndjekës i rregullt ii politikës së jashtme amerikane, kam konstatuar, dhe jo pa keqardhje personale, se jo pak herë, për shkak të të ashtuquajturve “interesa gjeopolitikë”, në disa vende të këtij rruzulli ka pasur raste kur Uashingtoni, për shkak të “paktit për stabilitet”, ka cenuar “paktin për demokraci”. Por, gjithashtu, jam ndjerë i lumtur, që edhe pse pas vitit 1994, kur Shqipëria është shndërruar në një nga partnerët më kryesorë gjeostrategjikë tuajin në rajon, SHBA-ja ka treguar qartazi, fatmirësisht për ne shqiptarët, se “paktin për demokraci” jo vetëm e ka pasur të barasvlershëm me “paktin për stabilitet”, por po e ritheksoj, fatmirësisht, “paktin për demokraci” e ka mbajtur si parakusht të “paktit për stabilitet”. Sinqerisht, kjo është një arsye dhe bindje e fortë historike, për të cilën ju drejtohem Ju personalisht dhe Institucionit që Ju përfaqësoni, për të ndarë këtë shqetësim që nuk është vetëm yni si staf i Agon Channel-it, por edhe i medies si pushtet i katërt, ii shqiptarëve në tërësi, për cenimin e vazhdueshëm të parimeve të shtetit ligjor, por që shumë shpejt do të jetë edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë, si promotorë të të drejtave demokratike.
 
Ndërkohë, më lejoni të shpreh vlerësimin tim personal për epërsinë e “antenave” tuaja të demokracisë që keni instaluar që me ardhjen tuaj, në dallim nga dy paraardhësit tuaj, të cilët, mbase për të mirën tonë e për të mirën e tyre, nuk janë përballur me situata të tilla. Uroj vërtet që vala e këtyre antenave të shkojë e kthjellët edhe tek ato zona ku transparenca është kanal i koduar e ku demokracinë e kap me miza.
 
Edhe diçka tjetër. Jeni prijësi i procesit të dekriminalizimit dhe ju respektoj pa masë për këtë. Por nëse më lejoni këtë herë t’ju sugjeroj diçka në ndihmë të punës suaj, fundja- fundjes në ndihmë të qëllimit tonë të përbashkët, shikojeni “Çështjen Agon”, si një pasqyrë ku duket qartë mentaliteti I Kryeministrit, nga i cili prisni dekriminalizimin dhe reformën në gjyqësor: shikojeni mirë si pasqyrë, se do të kuptoni si funksionon shteti shqiptar; shikojeni mirë si pasqyrë, se do njihni jo vetëm ‘kriminelët’ që doni t’i dekriminalizoni, por edhe oligarkët e vërtetë, që rrezikojnë fatin e Shqipërisë.
 
I nderuar z. Ambasador, duke qenë i vetëdijshëm për agjendën e mbingarkuar tuajën për çështje jetike tonat, siç është edhe ajo e dekriminalizimit, uroj dhe shpresoj që edhe kjo çështje të gjejë vëmendjen tuaj, pasi, përtej faktit se përmes këtyre praktikave totalitare të Udhëheqjes po dëmtohet imazhi i Shqipërisë para bizneseve të huaja, po shkelet çdo parim e shpresë e demokracisë, gjë që për qindra familje shqiptare përkthehet në dilemën e bukës për ditën e nesërme.
Si përfundim, I dashur dhe I nderuar Ambsador Lu! Për disa arsye, shpeshherë jo vetëm ky pushtet, por edhe disa aktorë të tjerë, kanë futur në cep dhe po godasin me çfarë e sa të mundin jo vetëm pronarin e “Agonit”, por dhe dhjetëra e qindra punonjësit e këtij institucioni, duke u mohuar gjënë më njerëzore në jetë, të drejtën e Punës dhe të Pagës. Kam shpresë, për një përgjigje tuajën, sepse heshtja juaj për çfarëdo arsye, më lejoni të guxoj ta them, do të tingëllonte si një aleancë e heshtur me oligarkinë, me atë oligarki për të cilën sekretari Kerry pak muaj më parë tha se është rreziku kryesor në Ballkan, dhe për të cilën ju vetë po luftoni aq shumë që ta çmontoni.
 
Gjithsesi, po ju kujtoj edhe njëherë, i dashur Ambasador, se thjesht kërkojmë ndihmën tuaj që, të gjithë bashkë, të mbajmë më këmbë të paktën këto dy vlera të njeriut dhe të njerëzimit: atë të Pagës dhe atë të Fjalës së Lirë.
Ka shumë punonjës në “Agon”, që, bashkë me familjarët e tyre, pas shumë muajve pa rrogë, e sidomos pas pengesave të njëpasnjëshme për të mos i lënë të marrin rrogën, janë dorëzuar në një farë mënyre, e kanë filluar korin e mallkimeve ndaj pushtetit dhe ndaj Kryeministrit personalisht. Unë nuk jam lodhur akoma, sepse nuk besoj vetëm në Zot.
 
Me respekt,
Andi Bejtja

Lajme, kronike, kulture dhe jo vetem, nga Shqiperia dhe rajoni.  Shkarko My ikub - aplikacioni qe i duhet cdo Shqiptari


   
 
 
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.








Shtypi i dites






Sondazh


Shfleto artikuj te tjere per: AGON CHANNEL ANDI BEJTJA DONALD LU LETER E HAPUR
Postuar nga: e.t
ikub #:
1508130188