Meta: Raporti me PS mjaft pozitiv, LSI kundër parcelizimit të qeverisë

14 Gsh 15

Kreu i Kuvendit dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u ka dhënë përgjigje disa pyetjeve që shqetësojnë opinionin publik lidhur me përçarjen PS-LSI, reformat dhe takimin e mundshëm Rama Nano.

 
0
0

Kryetari i LSI, Ilir Meta ka dhënë një intervistë për “News 24” gjatë së cilës u ka dhënë përgjigje një sërë pyetjesh që qarkullojnë në opinionin publik. Gjatë intervistës Meta ka folur për koalicionin PS-LSI, për një koalicion të mundshëm PS-PD, madje dhe LSI-PD, për reformën në drejtësi e kriminalizimin. Gjatë intervistës ai komentoi edhe një takim të mundshëm midis kryeministrit Rama si dhe ish-kryeministrit Nano, duke u shprehur se ndjen gëzim kur njerëzit takohen.

Teksa jeni kthyer nga pushimet, dua t’ju pyes si ju duk situata në bregun e Shqipërisë dhe si e vlerësoni punën e qeverisë për një sezon turistik të pëlqyeshëm, ndërkohë që ka patur edhe ankesa nga pushuesit për mungesa të energjisë elektrike apo ujit të pijshëm?
Nuk kam lëvizur aq shumë veçse për 2 ditë në Jalë ku isha me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, i cili mbeti shumë i kënaqur nga pushimet në bregdeti i Jalës. Nuk e di si ka qenë situata në gjithë vendin, por ne kemi dashur të tërheqim vëmendjen edhe përmes një konference për shtyp të nënkryetarit Petrit Vasili, për një bashkëpunim sa më të ngushë të qeverisë me pushtetin vendor të zgjedhur, për plotësimin e shërbimeve që lidhen me mbarëvajtjen e turizmit, sepse dihet që jemi në një proces tranzicioni të marrjes së detyrës nga kryetarët e rinj të bashkive dhe konstituimit të këshillave të rejave bashkiakë, të cilat kanë shumë përgjegjësi shumë të madhe për turizmin.
 
Gjatë këtyre ditëve ka patur mjaft thashetheme të pakonfirmuara zyrtarisht por edhe lajme zyrtare, siç ishte edhe raporti i Ministrisë së Financave për mosrealizim të të ardhurave në 6 mujorin e fundit por edhe për muajin korrik. Si do të reagojë mazhoranca për këtë?
Problemi i parë dhe i fundit për të cilin duhet të preokupohemi është ekonomia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Nuk mund të ndalem në veçanti për rezultatet apo bilancet sektoriale, por natyrisht që rritja ekonomike e vendit është sfida më e madhe që kemi të gjithë, jo vetëm qeveria, por edhe opozita dhe mbarë shoqëria shqiptare, sepse kuptohet që një rritje e madhe ekonomike do të thotë më shumë mundësi për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe e kundërta; një tkurrje e rritjes ekonomike i kufizon këto mundësi. Po të kemi në konsideratë zhvillimet në Greqi e rajon, sfidat sa vijnë e shtohen dhe kjo përparësi duhet të dominojë axhendën e të gjithëve
 
Zoti Meta më parë keni deklaruar se qeveria duhet të ketë një ‘politikë më të mençur’ taksash. Është kjo një deklaratë pas zgjedhjeve apo qëndrim që do ta thelloni dhe më tej?
Politika e taksave është një instrument mjaft i rëndësishëm, që ka nevojë për rivlerësime të vazhdueshme, siç i bëhen vlerësime dhe rivlerësime performancës nga misioni i FMN, që i shërben përmirësimit në të ardhmen. Mendoj se në ekonomi, ideologjizimi i tepruar dhe dogmatizmi nuk mund të sjellin progresin që kërkohet. Ne asnjëherë nuk e kemi parë politikën e taksave si një debat të karakterit ideologjik, pasi nuk mendojmë se taksat janë qëllim në vetvete. Ato janë thjesht një instrument dhe rishpërndarja apo mbrojtja e shtresave më të margjinalizuara të shoqërisë bëhet përmes shumë instrumentash të tjerë gjithashtu. Kur flasim për politikë të mençur të taksave, mendoj se duhet të analizojmë treguesit e deritanishëm të ndryshimeve që janë bërë dhe rezultatet e arritura, që të kuptojmë çfarë duhet të përmirësojmë në të ardhmen. Politikë e mençur e taksave dhe ekonomike është ajo që sjell një rritje ekonomike në potencialet që ka vendi dhe jo nën potencialet e tij. Prandaj duhet të shohim gjithë këtë hapësirë që mbetet për t’u shfrytëzuar dhe në këtë drejtim duhet të punojmë për të zgjeruar rrethin e ekspertëve, përfshirë ata të opozitës, shoqërisë civile, biznesit dhe në konsultim të vazhdueshëm me FMN, i cili si prioritete kryesore ka treguesit kryesorë makro-ekonomikë, sidomos ato që kanë të bëjnë me kufirin e borxhit apo me deficitin. Ndërsa për gjithë objektivat e tjera mbeten të hapur për t’u bindur në masat dhe propozimet që ne do ndërmarrim.
 
Parlamenti ka paralajmëruar këtë sesion reforma të thella, përmend atë në Drejtësi. Ju cilën konsideroni më të rëndësishmen?
Reforma në Drejtësi mbetet më e rëndësishmja dhe unë shpresoj në një bashkëpunim sa më të mirë në Parlament dhe përmes Parlamentit, midis gjithë aktorëve të tjerë, për ta kurorëzuar me përgjegjësi të plotë, sepse kjo reformë nuk është qëllim në vetvete. Ajo duhet kuptuar si një element mjaft i rëndësishëm për të forcuar shtetin ligjor me qëllim që të përmirësojmë ekonominë e vendit tonë.
 
Po ka zëra se LSI nuk ishte e interesuar ta bënte këtë reformë nëpërmjet Ministrisë Drejtësisë, dhe PS mori ‘flamurin’ me Komisionin e Reformës në Drejtësi. Cili është komenti juaj?
Megjithëse kjo është një intervistë verore duhet t’i japim përgjigje serioze çdo pyetje. Kemi të bëjmë me spekulime, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e reformës në drejtësi, e cila u vendos të kryhej me një komision të posaçëm në Parlament, pikërisht se nënkupton konsensusin dhe përfshirjes së opozitës, e cila është në parlament dhe jo në Ministrinë e Drejtësisë. Ndaj gjithçka tjetër është një spekulim dhe një lojë verore
 
Meqë jemi tek opozita, kujtoj se ajo ka paralajmëruar një stinë protestash. Mendoni se në këtë situatë duhen protesta apo veprime politike?
Ne nuk mund t’i ndalojmë opozitës protestat apo dëshirën për të protestuar. Kjo është një e drejtë demokratike, por ne shpresojmë që opozita të marrë përgjegjësitë që i takojnë, sidomos sa i përket reformës në drejtësi, ku edhe ajo pajtohet me faktin që ka probleme që duhet të zgjidhen dhe të mos bëjë atë gabim të rëndë, që bëri duke mos u përfshirë me kokëfortësi në reformën administrativo-territoriale. Askush nuk e pengon opozitën të ecë në dy shina; edhe të bëjë protesta, por edhe të japë kontribut konkret të domosdoshëm për një reformë e cila duhet të jetë afatgjatë dhe t’i shërbejë forcim të shtetit-ligjor.
 
Me siguri i keni dëgjuar zërat për një raport të ndryshuar mes PS-LSI? Cili është komenti juaj?
Raporti PS-LSI është mjaft pozitiv, konstruktiv dhe bashkëpunues dhe sidomos raporti me socialistëve në përgjithësi.
 
Vërehet një shqetësim mes 2 kampeve për rritjen e LSI në zgjedhjet e fundit…
Për ne nuk përbën një gëzim të veçantë rritja e LSI apo rezultati i forcave të tjera politike, sepse e kemi thënë që zgjedhjet e fundit, ishin zgjedhje vendore dhe duhet të jenë në interes të komunitetit. Më shume se problem i rritjes së një partie, mendoj se problemi kryesor është një rritje më e madhe ekonomike të vendit, sepse kjo do të na ndihmojë të përballojmë më mirë mjaft sfida të rëndësishme me të cilat ndeshet qytetari shqiptar dhe të rinjtë tanë. Besoj se edhe fenomeni i azilkërkimit, pavarësisht se nuk lidhet thjesht dhe vetëm me situatën ekonomike e sociale, (pasi ky fenomen ndodh edhe në vende anëtare të BE edhe shumë më të zhvilluara se Shqipëria), është një paralajmërim gjithnjë e më serioz për vëmendjen që duhet t’iu kushtojmë ekonomisë dhe problemeve sociale.
 
Këtë verë ka patur shumë skenarë koalicionesh, madje është folur për një koalicion LSI-PD. Ç’mund të thoni?
Ne nuk kemi votuar për një koalicion të tillë. Di që zoti Paloka ka dhënë një përgjigje, të cilën zoti Vasili e ka mbështetur plotësisht dhe mua s’më mbetet veçse t’i mbështes të dy ata.
 
Ndërkaq edhe zoti Rama edhe zoti Basha janë pyetur për një koalicion të mundshëm PS-PD. LSI i trembet një ngjarjeje të tillë?
Së pari, LSI është një forcë politike e lindur nga kurajoja, dhe frika nuk është cilësi e karakteristikë e kësaj force politike. Së dyti, kjo është një çështje që s’ka fare lidhje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila ka një axhendë të qartë e shumë konkrete.
 
Zoti Basha tha në përgjigje të kësaj pyetje tha se nuk do të bënte kurrë koalicion me ‘arkitektët e kriminalizimit’. Sa përgjegjëse ndihet LSI për prani të elementëve të kriminalizuar?
Ne kemi nisur një proces për të rritur standardet e përfaqësuesve publikë të qytetarëve shqiptarë në Kuvend dhe në çdo funksion tjetër publik. Në këtë drejtim të gjithë duhet të bashkëpunojnë dhe të gjithë duhet të përpiqen të japin kontribut konkret duke filluar nga vetja. Ndërsa akuzat mbi LSI janë absurde si shumë akuza të tjera, pasi LSI as ka patur, as ka ndonjë individ me rekorde kriminale, dhe nuk ka asnjë arsye për të patur një tillë në të ardhmen.
 
Cila do të jetë fillim-axhenda si kryetar i LSI dhe si kryetar i Parlamentit?
Së pari takimi me të rinjtë në Jalë dhe mendoj se ky është fillimi më kuptimplotë për sezonin, si kreu i LSI. Natyrisht si kryetar i Parlamentit do të jap gjithë mbështetjen për të ecur përpara me të gjitha reformat që ka nevojë vendi, sidomos në fushën e drejtësisë, por edhe në të gjitha reformat të cilat bëjnë të mundur që vendi të ecë me besim drejt një rritje të sigurt, të qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike. Theksoj, kjo është sfida jonë më e rëndësishme, të tjerat mbeten fjalë.
 
Pra publiku e media të jenë të qartë; LSI e mbështet pa asnjë rezervë qeverinë dhe çdo reformë të saj ?
Duket një pyetje pa kuptim, sepse duket sikur dikush është ankuar se nuk ka mbështetjen nga LSI, që s’ka ndodhur dhe as do të ndodhë, sepse LSI i ka dhënë mbështetje maksimale kësaj qeverie. LSI është kundër personalizimit dhe parcelizimit të qeverisë dhe ka punuar për frymën e bashkëpunimit brenda qeverisë dhe koalicionit. LSI ka qenë një shembull i shkëlqyer i pjekurisë politike dhe tolerancës, ndaj është detyra jonë jo vetëm të mbështesim qeverinë, por edhe të mbajmë në qendër të vëmendjes problemet më të rëndësishme që ka vendi, të cilat janë problemet ekonomike, që janë sfida të ristrukturimit të saj, të kapërcimit të një modeli që nuk mund të japë më atë rritje që shpresohej. Natyrisht ne do të fillojmë të riaktivizojmë në mënyrë të veçantë dialogun tonë me qytetarët sidomos me përfaqësuesit e sipërmarrjes vendase apo të huaj që operon në Shqipëri, me sindikatat, me gjithë zërat e kualifikuar të kësaj shoqërie për të ecur në këtë drejtim.
 
Pak kohë pas zgjedhjeve lokale i dhatë një mesazh indirekt kryeministrit Rama për nevojën e ndryshimeve në qeveri. I mbeteni këtij mendimi?
Besoj se gjithmonë ka hapësirë apo dëshirë për lajme dhe për të krijuar keqkuptime. Përmirësimi i qeverisjes në mënyrë të vazhdueshme është diçka tjetër, ndërsa ndryshimet konkrete janë diçka tjetër. Përmirësimi i politikave në ato drejtime, ku ato nuk kanë dhënë efektet e pritura, janë një reflektim i mençur dhe ne të gjithë kemi nevojë për t’u përmirësuar çdo ditë.
 
Kur të shkoni në Jalë, do ta takoni kryeministrin që është në Dhërmi me pushime?
Pse jo?! Me kënaqësinë më të madhe. Nuk e kuptoj, se kam lexuar këto ditë se pas lokaleve s’ka patur takime, sikur jemi ‘allnuar’ apo ‘idhnuar’ me njëri-tjetrin. Këto nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën, pasi marrëdhëniet tona janë mëse normale. Ne jemi takuar disa herë, jo vetëm së bashku, por edhe kryetarë të grupeve parlamentare dhe aktorë të tjerë. Nëse lajme të tilla e ndihmojnë dikë që të mos ndiejë temperaturat e larta, unë nuk shqetësohem, përkundrazi gëzohem, që gjejnë freski..
 
Keni informacion dhe a e konfirmoni nga burimet tuaja një takim Rama-Nano?
Nuk kam marrë ndonjë informacion të tillë, por gjithmonë kur njerëzit takohen nuk mund të ndiej gjë tjetër, veçse gëzim.

Lajme, kronike, kulture dhe jo vetem, nga Shqiperia dhe rajoni.  Shkarko My ikub - aplikacioni qe i duhet cdo Shqiptari


   
 
 
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.








Shtypi i dites






Sondazh


Shfleto artikuj te tjere per: INTERVISTE KOALICIONI LSI META
Postuar nga: o.zh
ikub #:
1508140183