Rama: Kisha e Dhërmiut? Greqia nuk mund të ndërhyjë. Nesër fillon aksioni kundër informalitetit

31 Gsh 15

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat tha se nga nesër nis aksioni kundër informalitetit në të gjithë vendin. Pritet të nisë reforma e ujit.

 
0
0
Kryeministri Edi Rama njofton piketat e punës se qeverisë deri në fundin e këtij viti. Në një konferencë për mediat, kreu i ekzekutivit tha se duke filluar nga nesër, nis aksioni për eliminimin e informalitetit në vend. Sipas tij, ky aksion do të bëjë të mundur edhe kapërcimin epokal të shoqërisë shqiptare, në një shoqëri europiane. 
 
“Nesër nis operacioni më i rëndësishëm i këtij mandati, lufta frontale kundër informalitetit. Ajo nuk fillon nga zeroja por kalon në një fazë të dytë vendimtare. Është një përpjekje ku ne synojmë jo vetëm të vendosim atë drejtësi dhe barazi përpara ligjit dhe në raport me detyrimet që secili të kontribuojë për atë që i takon, por është një përpjekje për të bërë një kapërcim epokal në raport me të qenit tonë qytetarë të europës”, tha Rama. 
 
Kreu i qeverisë lajmëroi gjithashtu edhe një “kantier” të ri punë, reformën e ujit. Sipas tij është e papranueshme që një nga vendet më të pasura në botë, i dyti në Europë për rezervat e ujit për frymë të popullsisë, të vuajë nga mungesa e ujit të pijshëm.  
“Paralelisht do të fillojë edhe reforma e ujit. Në këto vite tranzicion i kemi bërë vetes atë që askush tjetër se ka bërë. Jemi shumë të pasur në rezerva ujore dhe ndërkohë, vazhdojmë vuajmë nga mungesa e ujit. Do ta reformojmë plotësisht këtë sektor”, tha Rama.   
 
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij bëri edhe “bilancin” e konferencës së Vjenës e cila mbylli punimet pak ditë më parë. Sipas tij, Shqipëria do të përfitojë të paktën në dy projekte kryesore, “korridorin e kaltër” dhe autostradën Nish-Prishtinë-Durrës. “Më vjen shumë keq për qëndrimin e opozitës së vendit e cila thotë se nëpërmjet këtij projekti përfiton Serbia sepse Shqipëria e ka rrugën gati.
Nga ky union përfitojnë të gjitha vendet, aty do të lëvizin shqiptarë dhe serbë”, tha Rama.
 
Rama u ndal edhe në shkatërrimin e bandës që trafikonte kanabis me avionë në drejtim të Italisë. “Ne nuk njohim se ku ke punuar, ku punon, me kë je dhe kë njeh. Oficeri i policisë tashmë është i arrestuar. Ky arrestim nuk është arsye për të treguar policinë, por për ta përgëzuar atë. Ajo që ne pretendojmë është ti kundërvihemi gjithmonë e më fort veprimtarisë kriminale”, tha Rama. 
 
Nuk mungoi komenti i kryeministrit edhe për prishjen e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi dhe reagimin e shtetit grek. Sipas Ramës, ndërhyrja e Greqisë nuk është e pranueshme sepse siç tha ai, ortodoksët në Shqipëri nuk janë grekë. 
 
“Eshtë spekulim i madh se ne paskemi prishur një kishë. Mua më vjen zor që garazhin ta quaj kishë. Aty do rindërtojmë shëmbëlltyrën e kishës së vjetër dhe do e bëjmë hapësirë ku të ekspozohet historia e jashtëzakonshme shqiptare që ka marrë jetë në atë truall. Aktualisht në Dhërmi janë 38 kisha. Nëse është nevoja të ketë dhe 39- 40 s’ka asnjë problem. Ndërkohë, dua të shtoj se marrëdhëniet me kishën ortodokse janë shumë të mira. Ky është një moment që ka pasur keqkuptim që është keqpërdorur nga të tjerët, por ka qenë  mundësi shumë e mirë për të bërë të qartë e shkoqur se hapësira e ushtrimit të besimi ortodoks është hapësirë sovrane dhe asnjë shtet fqinj nuk ka asnjë të drejtë mbi këtë hapësirë. Ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë por shqiptarë . Ndërkohë për ortodoksët grekë që i përkasin minoritetit grek është i garantuar besimi njësoj si për ortodoksët shqiptarë të ushtrojnë  drejtën e të besimit të tyre. Por koha kur Shqipëria pranon të tilla çudira e të tilla ndërhyrje ka marrë fund në 23 qershorin 2013-s”, shtoi Rama. 
 

Lajme, kronike, kulture dhe jo vetem, nga Shqiperia dhe rajoni.  Shkarko My ikub - aplikacioni qe i duhet cdo Shqiptari


   
 
 
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.








Shtypi i dites






Sondazh


Shfleto artikuj te tjere per: AXHENDA EDI RAMA KONFERENCE QEVERIA REFORMA
Postuar nga: e.t
ikub #:
1508310092