Sikur ta kishin vetëm me ambasadorin Lu!

Burimi:

Tema

06 Tet 16
 
0
0
Beteja e paprecedentë kundër ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, do të kishte shpjegim nëse bëhej fjalë për ndonjë akt të veçuar të ambasadorit apo për ndonjë sjellje të veçantë të PD dhe Berishës ndaj institucionit të ambasadorit të SHBA në Tiranë. Por, nëse i hedh një sy historisë së Sali Berishës me ambasadorët e SHBA në Tiranë qysh nga viti 1995, shikon se çdo gjë është brenda normalitetit. E vetmja gënjeshtër që thuhet dhe vazhdon të thuhet, është ajo që ka të bëjë me ambasadorin Rajerson, të cilin ish-komunistët e akuzojnë se ka qenë i egër me ta në vitin 1992 dhe mik me Berishën, ndërsa ai vetë ka qenë jo vetëm korrekt me detyrën që duhet të luante për ndryshimin e sistemit në Shqipëri, por dhe aspak mik me Berishën realisht.
Sidoqoftë që të jemi më të qartë, duhet t’i marrim me radhë. Raportet e Berishës me SHBA u plasaritën në vitin 1995, kur Berisha u vu nën akuzë nga raporti i Departamentit të Shtetit për trafikun e naftës me Milosheviçin dhe një diplomat i ambasadës së SHBA në Tiranë që kishte hartuar raportin, gati u shpall “Non grata” nga Berisha. Gazetat e partisë së tij bënë një sërë shkrimesh agresive ndaj tij, deri në përgjime të jetës personale, ndërsa paralelisht Berisha filloi hartimin e një legjislacioni spastrues ndaj opozitës në skenën politike. Ai ngriti Komisionin për Dënimin e Genocidit, një institucion informal që do të përdorej për hartime listash dhe miratoi ligjin e parë për dosjet, i cili pasi kishte marrë listën e emrave që duhet të spastronte, kishte formuluar nenet.
Ligji u prit keq nga SHBA, dhe ambasadori i asaj kohe në Tiranë, Jozef Laik, tentoi të qëndronte neutral ndaj xhindosjes së Uashingtonit dhe revanshit antidemokratik të Berishës. Kritikët e Berishës në Uashington filluan të ngrenë krye, dhe së bashku me problemet e shtuara me lobin grek, pas arrestimit të pesë minoritarëve për “spiunazh”, Berisha filloi të formojë portretin autoritar antidemokratik në Uashington.
Jozef Laik dha dorëheqjen pasi nuk pranoi të përdorej nga Tirana zyrtare si justifikues i asaj që bëhej dhe nuk e përballoi me sa duket ndarjen në Uashington “pro” dhe “kundër” Berishës për të ardhmen e tij. Riçard Shifter, një këshilltar i Presidentit Klinton me shumë influencë, ishte kthyer në “snajperist” kundër tij, ndërsa inercia e administratës vazhdonte e mbante akoma.
Dhe zgjedhjet e 26 majit vulosën gjithçka.
Një njohëse e mirë e Shqipërisë nga Uashingtoni në atë kohë kujton se më 28 maj mbas dite, ndërsa ishin në zyrën e Desk Oficerit të Shqipërisë në Uashington, CNN shfaqi skenat e përgjakshme në sheshin “Skënderbej” dhe Servet Pëllumbin me një fotograf të gjakosur mes sampistëve.
Dikush nga ata që mbronte Berishën pëshpëriti: “Shifteri paska pasur të drejtë”!
Dhe këtu kapitulli i Sali Berishës u mbyll.
Uashingtoni dërgoi me urgjencë në Tiranë, Mariza Linon, e cila udhëhoqi çmontimin e tij nga pushteti me shumë vendosmëri, dhe natyrisht u kërcënua verbalisht dhe fizikisht prej Berishës.
Pas ikjes së saj, Uashingtoni dërgoi në vitin 1999 një ambasador të përkoshëm “Ad hock”, i cili shërbeu vetëm për t’i marrë Berishës dëshminë për vrasjen e Azem Hajdarit dhe për ta kthyer në Kuvend.
Pas tij erdhi ambasadori Jozef Limpreht, i cili shumë shpejt u kthye po ashtu në një armik të madh për Berishën.
Limpreht u zëvendësua më 2002 nga ambasadori Jeffrey, një diplomat karriere, i cili kuptoi hallin e Berishës dhe izolimin e tij, dhe e poshtëroi atë në pikën më të keqe, e detyroi të takohej dhe t’i kërkonte falje Nikolas Gejxh, gazetarit greko- amerikan, që përfaqëson vijën radikale greke kundër Shqipërisë në SHBA. Gejxh, i papranueshëm dhe për Athinën zyrtare, i shkoi Berishës në zyrë dhe ky i kërkoi ndjesë që e kishte zbuar nga Shqipëria.
[I ngjashëm: Mungon Shkëlzeni! ]
Pas kësaj, Jeffrey vazhdoi mbështetjen për qeverinë e Fatos Nanos dhe Berisha u  detyrua ta mallkonte sërish.
Ambasadorja Marcie Ries që zëvendësoi Jeffreyn i shpëtoi sulmeve pasi Berisha u rikthye në pushtet në vitin 2005. Ajo është e vetmja që nuk është sulmuar publikisht nga Berisha, por që është sharë nëpër tavolina.
Pas saj, ambasadori John Withers II, një euridit i Harvardit, të cilit patëm fatin t’i lexojmë dhe përshkrimet erudite për Shqipërinë falë rrjedhjeve të kabllogrameve.
Ai po ashtu tentoi të ishte miqësor me Berishën në fillimet e tij, por “Gërdeci” duket se komplikoi gjithçka. Ai u kthye në një kritik serioz për Berishën dhe raportet mes tij dhe Berishës u errësuan papritur, kur Berisha e sulmoi atë duke e quajtur “diplomat tellalli”.
Amabsadori Withers e ruajti formën e tij prej diplomati profesionist, vazhdoi punën dhe betejën  e vet deri në largim nga Shqipëria.
Kur Aleksandër Arvizu erdhi në Tiranë për të zëvendësuar Withers, ai ishte i kompleksuar paksa nga figura e fortë e ish- ambasadorit dhe pesha e tij në jetën politike shqiptare. Në një takim që patëm me të në ambasadë në prani të disa gazetarëve, ai tha se do ta kishte të vështirë të bënte atë që bëri ambasadori Withers, por do të përpiqej të punonte me qeverinë për t’i rregulluar gjërat. Dhe i kompleksuar nga kjo, bëri më të keqen e mundshme, duke i dalë në krah Berishës më 21 janar, dhe duke e korrigjuar atë menjëherë pasi pa që bëhej fjalë për një të sëmurë mendor, që vrasjet i quante nder dhe detyrë kundër opozitës.
Acarimi i tij me Berishën nisi me mbylljen e dosjeve të mëdha të “21 Janarit” dhe “Gërdecit” dhe arrogancën për të shtypur me çdo mjet opozitën dhe shtypin kritik.
Berisha u tërbua kundër tij dhe në një gjest të shëmtuar, të paprecedentë, ai e sulmoi atë më 21 qershor 2013, dy ditë para zgjedhjeve, duke botuar lajmin se SHBA shkarkoi ambasadorin Arvizu.
Për ironi të fatit, Arvizu iku nga Shqipëria në vjeshtë të vitit 2014, duke ia “plasur buzën” dhe duke e parë Berishën në opozitë.
Pas kësaj lindi legjenda se Berisha kishte paguar lobistë në Uashington dhe kishte sjellë ambasadorin Lu me të cilin Edi Rama do të kishte problem, pasi ishte njeri i Berishës. Ambasadori Lu në të vërtetë ishte diplomati i parë i SHBA që fliste aq mirë shqip dhe kishte ardhur aq shumë i përgatitur në Tiranë, sa dukej sikur kishte jetuar këtu. Ai bëri maksimumin të kalonte mirë me Berishën, duke e faktorizuar dhe si kryetar real të PD, por nuk ia doli. Thjesht nuk mund të bëhej i përdorshëm prej tij. Dhe kaq ka mjaftuar, që tashmë që Lu po udhëheq procesin e implementimit të reformës në drejtësi, dhe kur Berisha po refuzon 6 nga shtatë ligjet e reformës, ambasadori Lu po sulmohet me gjithë bateritë, pa asnjë shkak. Arsyetimi formal se PD është nxehur me njoftim rutinë të ambasadës së SHBA, është qesharak, pasi njoftimi është vërtet rutinë dhe i përgjigjet vetë deklaratave të PD për thirrje për të dalë në shesh. Po të ishte se ambasadori Lu kishte sulmuar shoqërinë civile, le të protestojë shoqëria civile dhe jo PD, se kështu kompromenton dhe veten, dhe shoqërinë civile.
Por shkaku real është i qartë dhe i dukshëm. Duhet të justifikohet konflikti me SHBA dhe BE, përmes një konflikti verbal me ambasadorin Lu. E mira e kësaj pune është se ambasadori Lu arriti të ruajë traditën e Berishës, duke sulmuar çdo ambasador të SHBA në Tiranë. Po të ishte i vetmi dhe do ishim çuditur, por Berisha nuk të lë të çuditesh. Është shumë i parashikueshëm dhe i llogaritshëm në krizën e pakorrigjueshme që ka me SHBA. Dhe kjo është diçka që PD duhet të reflektojë, pasi është partia që u lind nga mbështetja e SHBA dhe ka 20 vite që lufton kundër saj.
 



   
 
 
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.






Shtypi i dites






Sondazh


Shfleto artikuj te tjere per: DONALD LU MERO BAZE SALI BERISHA SHBA
Postuar nga: k.s
ikub #:
1610060040