marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: DASHAMIR URUÇI KUNDËR SHQIPËRISË
Tipi i Aktit: Vendim i GJ.E.D.NJ
Numri i Aktit: 649/06
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 24.01.2012
Data e aprovimit te Aktit: 24.01.2012
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 79
Data e fletores zyrtare: 28.03.2012
Aktiviteti: --
Propozuar nga: --
Pershkrimi i Aktit: Ankimuesi, z. Dashamir Uruçi, është shtetas shqiptar, i lindur në vitin 1948 dhe banues në Tiranë. Ai përfaqësohet përpara Gjykatës nga z. S. Puto, avokat i cili e ushtron profesionin në Tiranë. Qeveria shqiptare (Qeveria) u përfaqësua nga përfaqësuesja e saj e atëhershme, znj. S. Meneri dhe znj. E. Hajro.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

SEKSIONI I KATËRT
VENDIM
ÇËSHTJA NR. 6491/06
DASHAMIR URUÇI KUNDËR SHQIPËRISË


Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i katërt), e mbledhur më 24 janar 2012 në një dhomë të përbërë nga:
Lech Gralicki, President,
David Thór Björgvinsson,
Päivi Hirvelä,
Zdravka Kalaydjieva,
Nebojša Vucinic,
Vincent A. De Gaetano, gjykatës,
Markelian Koça, gjykatës ad hok,
dhe Lawrence Early, sekretar i seksionit, në lidhje me çështjen e mësipërme e paraqitur më 2 shkurt 2006, në lidhje me vërejtjet e paraqitura nga Qeveria e paditur dhe vërejtjet në kundërpërgjigje të paraqitura nga ankimuesi, pasi e ka shqyrtuar çështjen, vendos si më poshtë:


FAKTET
1. Ankimuesi, z. Dashamir Uruçi, është shtetas shqiptar, i lindur në vitin 1948 dhe banues në Tiranë. Ai përfaqësohet përpara Gjykatës nga z. S. Puto, avokat i cili e ushtron profesionin në Tiranë. Qeveria shqiptare (Qeveria) u përfaqësua nga përfaqësuesja e saj e atëhershme, znj. S. Meneri dhe znj. E. Hajro.
A. Rrethanat e çështjes
2. Faktet e çështjes, siç edhe u paraqitën nga palët, mund të përmblidhen si më poshtë.
1. Procedurat e gjykatave vendase
3. Më 5 qershor, 3 korrik dhe 14 tetor 2001, aplikuesi dhe bashkëshortja e tij u bënë subjekt i artikujve në gazetën e përditshme “Rilindja Demokratike” (gazeta).
4. Më 29 tetor 2001, aplikuesi nisi procedurat penale kundër B. K. autori i artikullit në shtyp i cili u publikua më 14 tetor 2001. Më 4 korrik 2002, procedurat u ndërprenë nga një vendim i Gjykatës së Rrethit Tiranë (Gjykata e Rrethit) sipas aktit të amnistisë të vitit 2002.
5. Më 3 tetor 2002, aplikuesi paraqiti një akt civil kundër redaksisë së gazetës, e përfaqësuar nga kryeredaktori, dhe kërkoi dëm jomonetar. Më 21 janar 2003, Gjykata e Rrethit të Tiranës vendosi se personaliteti dhe nderi i ankimuesit ishte cenuar rëndë nga artikujt e shtypit. Ajo urdhëroi që ankimuesit t’i paguhej shuma prej 1,000,000 lekë (rreth 7,000 euro).
6. Në një datë të paspecifikuar “Rilindja Demokratike” sh.p.k. (kompania), shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar në përputhje me ligjin shqiptar, dhe e cila është edhe pronarja e gazetës, apeloi. Apelimi u firmos nga kryeredaktori i gazetës. Kompania argumentoi, inter alia, se redaksia e gazetës nuk përbënte një entitet ligjor dhe nuk mund të bëhej palë në procedurat ligjore. Për këtë arsye, gjykata kishte për detyrë të zëvendësonte të paditurin duke thirrur kompaninë në vend të tij, një veprim i cili nuk u përmbush asnjëherë.
7. Më 22 maj 2003, Gjykata e Apelit Tiranë (Gjykata e Apelit) mbështeti vendimin e Gjykatës së Rrethit. Ajo rikujtoi se për deri sa artikujt ishin përzgjedhur për botim nga redaksia e gazetës, kjo e fundit ishte përgjegjëse për detyrimet e veta ndaj palëve të treta.
8. Më 20 qershor 2003, kompania apeloi në Gjykatën e Lartë, duke u mbështetur në po të njëjtin apelim, si edhe më parë në Gjykatën e Apelit. Apelimi u firmos nga kryeredaktori. Më 23 prill 2004, Gjykata e Lartë e deklaroi të papranueshëm apelimin duke qenë se ai nuk përfshinte asnjë nga të dhënat e apelimit të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile (KPC).
2. Procedurat për zbatim
9. Më 11 korrik 2003, Gjykata e Rrethit lëshoi një urdhër gjyqësor për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të datës 21 janar 2003. Në të njëjtën ditë përmbaruesi i kërkoi redaksisë së gazetës të pajtohej me vendimin brenda dhjetë ditëve nga dita në të cilën ai ishte lëshuar. Përmbaruesi iu tërhoqi vëmendjen se do t’iu duhej ta zbatonin vendimin me detyrim, në rast se nuk e përmbushnin vullnetarisht vendimin.
10. Më 30 shtator 2003, pasi redaksia e gazetës nuk përmbushi vendimin, përmbaruesi urdhëroi që shuma për t’u paguar duhej të mbahej nga llogaria bankare e gazetës. Sipas informacionit nga bankat e përfshira në proces, siç dukej, redaksia e gazetës nuk kishte asnjë llogari bankare, përveç një llogarie te Banka Kombëtare Tregtare, e cila nuk kishte fonde të disponueshme.
11. Më 5 korrik 2004, përmbaruesi vendosi të ndërpresë ekzekutimin me argumentin se redaksia e gazetës nuk kishte asete.
12. Ankimuesi e kontestoi urdhrin dhe siç do të kuptohej ai bëri përsëri kërkesë te përmbaruesi. Më 18 nëntor 2004 dhe më 21 prill 2005, respektivisht, përmbaruesi urdhëroi konfiskimin e fondeve në llogaritë bankare të redaksisë së gazetës dhe e zbatoi ligjin në bankat përkatëse në territorin e Shqipërisë.
13. Bankat përkatëse rikonfirmuan se redaksia e gazetës nuk kishte ndonjë llogari bankare. Më 4 maj 2005 Banka Kombëtare Tregtare informoi përmbaruesit se nuk kishte asnjë fond në llogarinë bankare të redaksisë së gazetës.
14. Më 1 nëntor 2005, aplikuesi i dërgoi një letër Ministrit të Drejtësisë duke e informuar për moszbatimin e vazhdueshëm të vendimit të Gjykatës së Rrethit të datës 21 janar 2003.
15. Më 17 nëntor 2005, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit informoi ankimuesin se përpjekjet e tyre në vitin 2003 dhe 2005 kishin qenë të pasuksesshme pasi nuk u gjendën fonde të disponueshme në llogarinë bankare të redaksisë së gazetës.
16. Në një datë të papërcaktuar, rezultoi se ankimuesi paraqiti një ankesë pranë Gjykatës Kushtetuese në lidhje me moszbatimin e vendimit përfundimtar të gjykatës.
17. Më 14 dhjetor 2005, me anë të një letre administrative, Gjykata Kushtetuese informoi ankimuesin se e kishte shqyrtuar kërkesën e tij dhe kishte marrë vendimin se çështjet e ngritura pranë kësaj gjykate ishin jashtë juridiksionit të saj.
18. Më 15 prill 2009, Qeveria e informoi këtë Gjykatë në lidhje me një vendim të Gjykatës së Rrethit, të datës 18 dhjetor 2007, i cili e kishte deklaruar të papërmbushur ekzekutimin e urdhrit gjyqësor të datës 11 korrik 2003. Procedurat në fjalë u paraqitën nga kompania e gazetës, në vijim të përpjekjeve për të vënë në jetë vendimin kundër kompanisë. Ankimuesi ishte thirrur për të
ndërhyrë si palë e tretë në ato procedura. Në vendimin e Gjykatës së Rrethit, i cili u dha in absentia, pohohej se urdhri gjyqësor kundër kompanisë së gazetës nuk mund të zbatohej, për aq kohë sa ajo nuk kishte qenë kurrë palë e procedurave ligjore vendase. Më tej, Gjykata e Rrethit shtoi se, për arsye se redaksia e gazetës nuk ishte as entitet ligjor dhe as person fizik, duke pasur parasysh edhe zhvillimin dhe zbatimin e ligjit siç paraqitej në 2007, urdhri i gjykatës për ekzekutim mbetej i pazbatuar.

B. LIGJI PËRKATËS VENDAS
1. Kushtetuta
19. Kushtetuta e Shqipërisë, për sa ka të bëjë me çështje, pohon:
Neni 42 § 2
“Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetuese dhe ligjore, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”
Neni 131
“Gjykata Kushtetuese vendos për … (f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave”.
2. Akti i Gjykatës Kushtetuese (Ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nr. 8577, i datës 10 shkurt 2000)
20. Seksioni 30 i akteve të Gjykatës Kushtetuese përcakton afatin përfundimtar për paraqitjen e aplikuesve përpara gjykatës. Ankesat individuale me pretendimin për thyerjen e të drejtave kushtetuese nuk duhen dorëzuar më vonë se dy vjet pas komisionit të shkeljeve të ligjeve.
21. Po i njëjti afat prej dy vjetësh hyn në fuqi në rastin e shpalljes së një vendimi të formës së prerë.
3. Çështja dhe ligji i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë
22. Fillimisht, Gjykata Kushtetuese pranoi se moszbatimi i një vendimi gjykate i formës së prerë përbënte thyerje të të drejtave të apeluesit për një proces të rregullt ligjor në vendimin nr. 6/06 të datës 31 mars 2006. Më herët, Gjykata Kushtetuese nuk i kishte pranuar këto kërkesa me pretendimin se nuk ishin në juridiksionin e saj.
23. Një përshkrim i detajuar i çështjes dhe ligjit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me moszbatimin e vendimit të gjykatës së formës së prerë ishte bërë në vendimin e kësaj Gjykate në çështjen Gjyli kundër Shqipërisë, nr. 32907/07, §§ 21-27, 29 shtator 2009.
4. Kodi i Procedurës Civile
24. Neni 451/a i KPC-së parashikon se një vendim gjykate i formës së prerë është i detyrueshëm për palët, trashëgimtarët e tyre, dhe për gjykatën e cila e ka miratuar vendimin, si edhe për gjykatat dhe institucionet e tjera.
25. Neni 458 i KPC-së parashikon mundësinë që një palë mund t’i kërkojë leje të apelojë jashtë afatit kohor.
26. Neni 510 i KPC përcakton se një vendim mund të hyjë në fuqi vetëm në bazë të së drejtës së ekzekutimit, e cila përfshin, inter alia, një vendim gjykate të formës së prerë. Sipas nenit 511 të KPC-së e drejta e ekzekutimit vihet në jetë në bazë të kërkesës së kreditorit. Për këtë qëllim lëshohet një urdhër gjykate për ekzekutim. Siç pohohet në nenin 515 të KPC-së, një urdhër gjykate për ekzekutim vihet në zbatim nga përmbaruesi, inter alia, bazuar në kërkesën e kreditorit. Përmbaruesi fton debitorin të pajtohet me zbatimin e vullnetshëm brenda limiteve kohore të parashikuara në nenin 517 të KPC-së. Në rast se debitori nuk pajtohet me zbatimin e vullnetshëm brenda limiteve kohore të parashikuara, përmbaruesi procedon me zbatimin e detyrueshëm në përputhje me nenin 519 të KPC-së.
27. Sipas nenit 527 përmbaruesi ka fuqinë që të konfiskojë jo vetëm huatë e debitorit por edhe pronat e tundshme dhe të patundshme deri sa të jetë e nevojshme për të përmbushur detyrimet monetare. Në bazë të nenit 528, me kërkesën e debitorit, konfiskimi mund të realizohet edhe në një pronë tjetër nëse përmbaruesi e gjykon se kjo pronë përmbush nevojat e kreditorit.
28. Sipas nenit 610 të KPC-së, palët mund të ankohen përpara gjykatës për zbatim ose moszbatim të vendimit nga përmbaruesi brenda pesë ditëve pas deklarimit të vendimit ose prishjes së tij. Ekziston edhe një e drejtë për apelim kundër vendimit të gjykatës në përputhje me nenin 611 të KPC-së. Apelimi nuk ka efekte pezulluese mbi zbatimin e vendimit.
29. Përmbaruesi mund të vendosë ta ndërpresë zbatimin e vendimit sipas nenit 616 të KPCsë nëse: a) debitori pajtohet me urdhrin gjyqësor për zbatim; b) debitori heq dorë, me shkrim, nga e drejta e tij për zbatimin e vendimit; c) urdhri gjyqësor për zbatim tërhiqet; ç) akti civil i debitorit, në përputhje me nenin 610 të KPC-së, pranohet nga një vendim gjykate i formës së prerë; d) përmbaruesit vetëm ose në bashkëpunim me kreditorin nuk gjejnë asete që t’i përkasin debitorit, brenda gjashtë muajve nga data e fillimit të procedurave për ekzekutimin e vendimit. Sipas nenit 617 të KPC-së, palët mund ta kundërshtojnë vendimin e përmbaruesit për ta ndërprerë zbatimin e
vendimit në gjykatën e rrethit.


ANKESAT
30. Fillimisht, sipas neneve 6 § 1 dhe 13 të Konventës, ankimuesi u ankua se autoritetet nuk kishin zbatuar vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 21 janar 2003.
31. Në zbatim të informacionit të ri të paraqitur nga Qeveria më 15 prill 2009, pa bërë ndonjë ankesë specifike, ankimuesi argumentoi se ai nuk ishte informuar për vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 18 dhjetor 2007, dhe për pasojë afati për apelim kundër tij kishte kaluar. Sipas tij, ai vendim kishte anuluar vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 21 janar 2003.
32. Pjesët respektive të neneve 6 § 1 dhe 13 të Konventës parashikojnë:
“Neni 6 § 1
Për të përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e tij civile ... çdonjëri ka të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor … nga … [një] …… tribunal”
Neni 13
“Çdonjëri të drejtat dhe liritë e të cilit, siç parashikohen në Konventë, janë thyer, do të përfitojë një kompensim efektiv përpara një autoriteti kombëtar, pavarësisht faktit se thyerja mund të jetë bërë nga persona me një pozicion zyrtar.”


LIGJI
A. Neni 6 § 1, ankesat
1. Për sa ka të bëjë me moszbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të datës 21 janar 2003
a) Komentet e parashtruara nga palët
33. Qeveria argumentoi se ankimuesi nuk kishte konsumuar format kompensuese vendase. Fillimisht, ajo informoi se ankimuesi nuk ndërmori asnjë veprim në përputhje me nenin 610 të KPCsë kundër veprimeve të përmbaruesit. Së dyti, ajo pretendonte se kërkesa e ankimuesit drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk përmbante të gjitha elementet e një ankese, gjë e cila shpjegon edhe paraqitjen e saj me anë të një letre administrative.
34. Ankimuesi argumentoi se Gjykata Kushtetuese nuk kishte marrë parasysh moszbatimin e vendimeve të formës së prerë të gjykatës për t’u bërë pjesë e juridiksionit të asaj gjykate deri në mars 2006. Për pasojë ankesa e tij nuk u mor për shqyrtim. Më tej ai vijoi se sipas nenit 610 të KPC-së, kompensimi që i përkiste atij kishte lidhje me të drejtën e tij për t’u ankuar për veprimet e përmbaruesit, të cilat nuk ishin në përputhje me urdhrin gjyqësor për ekzekutim. Gjithsesi, ai kompensim nuk do të ndryshonte vendimin kryesor bazuar në të dhënat apo në urdhrin gjyqësor të ekzekutimit.
35. Ankimuesi argumentoi se përpjekjet e autoriteteve nuk ishin të efektshme sepse ata duhej të kishin konfiskuar pronën e patundshme të kompanisë së gazetës dhe se ato nuk e kishin zbatuar tërësisht vendimin e dhënë në favor të tij. Kompania e gazetës kishte apeluar kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit, të datës 21 janar 2003, te Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, duke pranuar
në këtë mënyrë se çështja ishte adresuar kundër saj. Po i njëjti argument, i cili ishte ngritur në apel, nuk ishte pranuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë respektivisht, më 22 maj 2003 dhe 23 prill 2004.
36. Gjykata nënvizoi se vendimi i Gjykatës së Rrethit i datës 21 janar 2003 ishte dhënë kundër redaksisë së gazetës dhe më tej vijoi se autoritetet kishin marrë të gjitha masat e nevojshme për ta vënë atë në jetë. Për shembull, përmbaruesi informoi redaksinë e gazetës për pajtim të vullnetshëm. Më tej, ai vijoi me ekzekutimin e detyrueshëm dhe urdhëroi konfiskimin e llogarive
bankare të redaksisë së gazetës. Përkundrazi, ankimuesi nuk kishte bashkëpunuar me përmbaruesin ashtu siç parashikohej në nenin 616 (d) të KPC-së. Kështu, Qeveria fajësoi ankimuesin se ky i fundit nuk i kishte kërkuar përmbaruesit të procedonte me konfiskimin e pronës së paluajtshme të kompanisë së gazetës.
b) Vlerësimi i Gjykatës
37. Gjykata e konsideron të panevojshme ta shqyrtojë në veçanti kundërshtimin e Qeverisë për moskonsumim të kompensimeve vendase, sepse sipas çdo këndvështrimi, ankesa është e papranueshme.
38. Gjykata përsërit se ekzekutimi i vendimit të formës së prerë i dhënë nga çdo gjykatë duhet të konsiderohet si një pjesë integrale e “gjyqit” për të përmbushur objektivat e nenit 6 të Konventës (shiko Hornsby kundër Greqisë, 19 mars 1997, § 40, Raporte 1997-II). Shteti ka një detyrim pozitiv për organizimin e një sistemi për zbatimin e vendimeve. Ky detyrim është efektiv si në aspektin ligjor dhe në atë praktik dhe vetë Qeveria sigurohet për zbatimin e ligjeve pa vonesa të zgjatura (shiko Ruianu kundër Rumanisë, nr. 34647/97, § 66, 17 qershor 2003). Kur autoritetet detyrohen të veprojnë për të vënë në jetë një vendim dhe si përfundim ato nuk kanë sukses për ta arritur këtë objektiv, në këtë rast, sipas nenit 6 § 1 të Konventës, është përgjegjësia e Shtetit të ndërhyjë (shiko Scollo kundër Italisë, 28 shtator 1995, §§ 44, seria A nr. 315-C).
39. E drejta “për t’u paraqitur në gjykatë” nuk e detyron Shtetin të ekzekutojë çdo vendim të karakterit civil pa pasur të dhëna për rrethanat e caktuara të një çështje (shiko Sanglier kundër Francës, nr. 50342/99, § 39, 27 maj 2003). Përgjegjësia e Shtetit për zbatimin e një vendimi kundër një personi nuk shkon më tej sesa përfshirja e organizmave të Shtetit në procedurat e zbatimit (shiko Fuklev kundër Ukrahinës, nr. 71186/01, § 67 dhe §§ 90-91, 7 qershor 2005). Detyra e vetme e Gjykatës është të kontrollojë nëse masat e marra nga autoritetet ishin të përshtatshme dhe të mjaftueshme. Në raste të ngjashme me rastin konkret, ku debitori është person civil, Shtetit i duhet të veprojë në mënyrë të kujdesshme për të ndihmuar një kreditor të ekzekutojë një vendim (shiko Fociac kundër Rumanisë, nr. 2577/02, § 70, 3 shkurt 2005).
40. Gjykata informon se më 3 tetor 2002 aplikuesi paraqiti ankesën për dëme të shkaktuara nga redaksia e gazetës. Vendimi i Gjykatës së Rrethit i datës 21 janar 2003, i cili u bë i formës së prerë më 23 prill 2004 në përputhje me nenin 6 § 1 të Konventës, e pranoi ankesën dhe i kërkoi redaksisë së gazetës të paguante dëmet. Më 11 korrik 2003, u lëshua një urdhër gjyqësor për ekzekutim vendimi, i cili u la nën përgjegjësinë e përmbaruesit për t’u përmbushur. Gjykata do të shqyrtojë nëse veprimet e përmbaruesit ishin ato të duhurat dhe ishin të mjaftueshme dhe nëse ai kishte vepruar në mënyrë të kujdesshme gjatë procedurave të zbatimit të vendimit.
41. Gjykata vëren se më 11 korrik 2003, përmbaruesi i kërkoi redaksisë së gazetës të binte dakord me vullnetin e saj me vendimin e datës 21 janar 2003. Në mungesë të pajtimit të vullnetshëm, më 30 shtator 2003 përmbaruesi urdhëroi konfiskimin e llogarive bankare të redaksisë së gazetës. Megjithatë, vetëm një llogari bankare e disponueshme ekzistonte, e cila në fakt nuk kishte fonde. Për pasojë, më 5 korrik 2004, në mungesë të fondeve, përmbaruesi vendosi ta ndërpriste zbatimin e vendimit.
42. Më tej Gjykata thekson se nën këmbënguljen e ankimuesit, përmbaruesi urdhëroi një tjetër konfiskim të llogarive bankare të redaksisë, më 18 nëntor 2004 dhe 21 prill 2005. Bankat rikonfirmuan se redaksia nuk kishte asnjë llogari bankare dhe në llogaritë ekzistuese ajo nuk kishte fonde.
43. Gjykata nuk mund ta pranojë argumentin e ankimuesit se autoritetet duhej të kishin konfiskuar pronën e paluajtshme të kompanisë së gazetës për zbatimin e vendimit. Në këtë kontekst, Gjykata vëren se në të gjitha sistemet ligjore zbatimi i një vendimi të formës së prerë i marrë nga Gjykata ka kufizime ad persona dhe ad rem. Ankimuesi paraqiti kërkesën kundër redaksisë. Vendimet e gjykatave vendore ishin në favorin e tij dhe urdhëronin redaksinë t’i paguanin dëmet atij. Më tej, gjykatat vendore theksuan se ishte redaksia përgjegjëse për detyrimet e saj ndaj palëve të treta dhe jo kompania e gazetës.
44. Nën këto rrethana, Gjykata mendon se përmbaruesi mori hapat e menjëhershme dhe të duhura për të siguruar zbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit, të datës 21 janar 2003. Ankimuesi nuk paraqiti ndonjë masë tjetër që mund të ishte marrë nga përmbaruesi. Më tej vijohet se kjo ankesë duhet të kundërshtohet përderisa nuk përputhet me Nenin 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës.
2. Për sa i përket thyerjes së barazisë së pushteteve për shkak të mosshpalljes së vendimit të Gjykatës së Rrethit të datës 18 dhjetor 2007
a) Faktet e paraqitura nga palët
45. Më 21 korrik 2009, pasi Qeveria paraqiti vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 18 dhjetor 2007 (shiko paragrafin 18), ankimuesi argumentoi se vendimi i Gjykatës së Rrethit u dha in absentia. Ai pretendonte se nuk ishte bërë kurrë me dije për miratimin e tij dhe se emri dhe firma në njoftim nuk ishin të tijat. Për këtë arsye, ai nuk mundi të shfrytëzonte limitin kohor i cili kishte
skaduar në kohën kur ai u bë me dije për vendimin.
46. Qeveria parashtroi argumentin se ankimuesi ishte njoftuar për miratimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të datës 18 dhjetor 2007 duke e firmosur njoftimin më 10 janar 2008. Për më tepër, ai kishte ndjekur seancat dëgjimore të datës 2 shkurt dhe 12 mars 2007. Më tej, nga maji deri në nëntorin e vitit 2007 ai ishte thirrur katër herë për t’u paraqitur përpara gjykatës por ai nuk ishte paraqitur (më 24 maj, 25 shtator, 9 dhe 30 nëntor 2007).
b) Vlerësimi i Gjykatës
47. Për qëllime të çështjes, Gjykata është e gatshme të supozojë se ankimuesi, një ndërmjetës si palë e tretë në procedurat e hapura nga kompania e gazetës, në parim mund të mbështetet në nenin 6 të Konventës, për sa ka të bëjë me këtë ankesë (shiko, mutatis mutandis, Business Si Investitii Pentru Toti kundër Moldavisë, nr. 39391/04, 13 Tetor 2009; Zietal kundër Polonisë, nr. 64972/01, 12 maj 2009; dhe Lipatnikova dhe Rudic kundër Moldavisë, nr. 40541/04, 23 tetor 2007). E njëjta situatë qëndron edhe për ankesën e tij sipas pikës 3, ku pretendohet për një thyerje të principit të sigurisë ligjore. Më tej Gjykata përsërit se ajo kontrollon cilësimin e fakteve të çështjes, sipas ligjit. Ajo pretendon se nuk është ndikuar nga cilësimi i bërë nga ankimuesi ose Qeveria (shiko Guerra dhe të tjerët kundër Italisë, 19 shkurt 1998, § 44, Raportet e Gjykimeve dhe Vendimeve 1998-I). Ajo mendon se është e nevojshme që kjo kërkesë të shqyrtohet në kushte të barabarta midis palëve.
48. Principi i barazisë është vetëm në aspekt nga koncepti i gjerë për një gjyq të drejtë, i cili përfshin gjithashtu të drejtën fondamentale sipas së cilës procedurat duhet të jenë kundërshtuese (shiko Ruiz-Mateos kundër Spanjës, vendim i datës 23 qershor 1993, seria A nr. 262, faqe 25, §
63). Principi i barazisë – në sensin e një “balance të drejtë” midis palëve – kërkon që secilës palë t’i sigurohet mundësia për të prezantuar çështjen në kushte të cilat nuk e pozicionojnë në disavantazh të dukshëm vis-à-vis me oponentin e tij (shiko, midis autoriteteve të tjera, Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, vendim i datës 27 tetor 1993, seria A nr. 274, faqe 19, § 33).
49. Principi i barazisë në thelb nuk do të ekzistonte nëse një nga palët e çështjes nuk do të njoftohej për seancën dëgjimore nën kushtet që ai të mund ta ndiqte atë, vetëm nëse ai nuk dëshiron të paraqitej sipas së drejtës për palët të përfshira në ligjet vendase (shiko Zagorodnikov kundër Rusisë, nr. 66941/01, § 30, 7 qershor 2007). Mosbërja me dije në lidhje me vendimet e gjykatës, në princip, mund të ngrejë një çështje tjetër sipas nenit 6 § 1 (shiko inter alia, në përgjithësi Hennings kundër Gjermanisë, vendim i datës 16 dhjetor 1992, seria A nr. 251-A, dhe Sukhorubchenko kundër Rusisë, nr. 69315/01, §§ 53-54, 10 shkurt 2005). Në të njëjtën kohë, neni 6 nuk mund të interpretohet si diskutim mbi ndërgjyqësor një e drejtë automatike për të marrë një formë të caktuar shërbimi për dokumentet e gjykatës, si për shembull me anë të postës së regjistruar (shiko Bogonos kundër Rusisë (vendim), nr. 68798/01, 5 shkurt 2004).
50. Për sa ka të bëjë me rrethanat faktike të çështjes, Qeveria nxori shtatë thirrje për t’u paraqitur në Gjykatën e Rrethit, në të cilat ankimuesi ftohej të merrte pjesë si palë e tretë në procedura. Thirrjet u bënë në periudhën midis 22 dhjetorit 2006 dhe 30 nëntorit 2007. Të paktën katër prej këtyre thirrjeve u firmosën nga ankimuesi, bashkëshortja e tij ose djali i tij. Një thirrje nuk u firmos; firmat në thirrjet e tjera ishin të palexueshme; në thirrjet e tjera ishte bërë një shënim ku pohohej se ankimuesi refuzonte të firmoste. Më tej, në të dhënat gjyqësore të datës 2 Shkurt dhe 12 mars 2007 pohohej se ankimuesi i kishte ndjekur seancat gjyqësore në ato data.
51. Në mungesë të një kundërshtimi nga ana e ankimuesit për autentitetin e ndonjë prej dokumenteve të përmendura më sipër, Gjykata nuk ka asnjë arsye se përse të mos iu besoj atyre. Pas thirrjeve për t’u paraqitur në gjykatë dhe paraqitjes së tij në të paktën dy seanca gjyqësore, ankimuesi pritej që të bënte parashtrim të fakteve, dhe të bënte kërkesa për progresin e procedurave. Më tej, Gjykata mendon se është në interesin e palës së interesuar të tregojë kujdesin e duhur në mbrojtje të interesave të tij dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për t’u informuar mbi zhvillimet e procedurave (shiko, midis autoriteteve të tjera, Teuschler kundër Gjermanisë (vendim), nr.
47636/99, 4 tetor 2001; Trukh kundër Ukrahinës, (vendim), nr. 50966/99, 14 tetor 2003; dhe Aleksandr Shevchenko kundër Ukrahinës, nr. 8371/02, § 27, 26 prill 2007).
52. Më tej, Gjykata vëren se një dëftesë komunikimi e datës 8 janar 2008, e informoi ankimuesin për vendimin e datës 18 dhjetor 2007. Dëftesa u postua më 9 janar 2008 dhe u dorëzua në adresën e ankimuesit me anë të postës së regjistruar më 10 janar 2008. Në krahun e majtë poshtë vërehet një vulë me nënshkrimin “Postim i paguar, postë e regjistruar”. Në krahun e djathtë sipër vërehet një tjetër vulë, me datën 9 janar 2008 dhe emrin e zyrës postare. Data e faturimit shënon 10 janarin e vitit 2008.
53. Edhe nëse mendojmë se njoftimi nuk është firmosur nga ankimuesi, Gjykata merr parasysh faktin se ai e pati mundësinë për të ngritur të gjitha çështjet e sipërpërmendura përpara Gjykatave Kombëtare duke kërkuar leje për të apeluar jashtë afatit kohor në përputhje me nenin 458 të Kodit të Procedurës Civile (shiko paragrafin 25 më sipër). Megjithatë, ankimuesi nuk veproi në
këtë mënyrë.
54. Nën këto rrethana, Gjykata pohon se ankimuesi u njoftua për procedurat, u informua rregullisht për datat e seancave gjyqësore dhe mori edhe një kopje të vendimit. Për këtë arsye, kjo ankesë nuk është e drejtë dhe duhet të hidhet poshtë në përputhje me nenin 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës.
3. Në lidhje me një shkelje të principit të sigurisë ligjore
55. Më 21 korrik 2009, pas parashtrimit të fakteve nga ana e Qeverisë mbi vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 18 dhjetor 2007 (shiko paragrafin 18 sipër), ankimuesi pohon ose pretendon se gjykatat vendore e kishin vendosur më herët se ishte redaksia përgjegjëse për detyrimet ndaj palëve të treta dhe jo kompania e gazetës. Vendimi i datës 18 dhjetor 2007 e kundërshton këtë pretendim duke hapur një proces të tërë ligjor pa arsye.
56. Gjykata pohoi se ankimuesi kishte identifikuar dhe vazhduar procedurat ligjore kundër të akuzuarit, i cili ishte redaksia. Ankimuesi, ndryshe nga palët e tjera paditëse, nuk aplikoi për të përftuar kompensimin e gabuar. Më tej, ata argumentuan se ankimuesi duhej të kishte ushtruar presion kundër autorit të artikullit të publikuar në shtyp.
57. Gjykata merr parasysh se pavarësisht faktit se aplikanti e paraqiti këtë kërkesë brenda limitit kohor prej 6 muajsh, ai është i papranueshëm. Vendimi i Gjykatës së Rrethit i datës 18 dhjetor 2007 nuk e shqyrton vendimin e saj përfundimtar të datës 21 janar 2003. Ajo thjesht pohon se urdhri gjyqësor për ekzekutim, duke qenë se adresohej kundër redaksisë, nuk mund të zbatohej
kundër kompanisë së gazetës. Gjykata merr parasysh se pohimi i Gjykatës së Rrethit, në lidhje me faktin se redaksia nuk ishte as entitet ligjor dhe as person fizik, reflektonte hartimin, interpretimin dhe vënien në jetë të ligjit në vitin 2007. Më tej, Gjykata do t’i referohej fakteve të parashtruara prej saj në paragrafët 37-44 më sipër në lidhje me veprimet e autoriteteve për zbatimin e vendimit të
formës së prerë të Gjykatës më 23 janar 2003.
58. Në vijim rezulton se kjo ankesë nuk është e drejtë dhe ajo duhet të hidhet poshtë, sipas nenit 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës.
D. Neni 13, ankesa
59. Sipas nenit 13 të Konventës, ankimuesi u ankua se nuk pati asnjë kompensim efektiv për të kërkuar më tej zbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të datës 21 janar 2003.
60. Duke marrë parasysh materialet që posedon, të dhënat në paragrafët 37-44 më sipër dhe faktin se kjo ankesë është nën kompetencat e saj, Gjykata pohon se të dhënat e çështjes nuk shfaqin ndonjë shenjë të dhunimit të së drejtës së ankimuesit për të kërkuar kompensim efektiv. Për sa vijon më tej, kjo ankesë duhet të kundërshtohet si e padrejtë, bazuar në nenin 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës. Për këto arsye, Gjykata, në mënyrë unanime:


E deklaron aplikimin të papranueshëm.
Lawrence Early Lech Garlicki
Sekretar President



Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: khoxha
ikub #:
 0 1204270098





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

as
spitaliamerikan