Udhezimi, si do te zhvillohen provimet e lirimit per 9-vjecaren
Ministria e Arsimit publikon datat dhe mënyrën se si do të zhvillohen provimet e lirimit.Në udhëzimin që mban firmën e ministrit Tafaj, janë caktuar të gjitha procedurat për të garantuar mbarëvajtjen e tyre.

Nxënësit do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për secilin nga provimet. Gjuhën shqipe ata do ta japin më 17 qershor, ndërsa provimit të matematikës do t’i nënshtrohen më 23 qershor. Sipas udhëzimit të fundit të nxjerrë nga MASH, testimi do të nisë në orën 10 dhe nxënësit duhet të paraqiten në shkollë 1 orë më parë.  “Në shkollat e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase) zhvillohet  Provimi i Lirimit në gjuhën amtare. Për shkollat e pakicës kombëtare greke teza do të përgatitet nga DAR Gjirokastër. ZA Delvinë dhe ZA Sarandë tërheqin në DAR Gjirokastër tezën në ditën e provimit”, thuhet në udhëzimin e fundit të MASH. Sipas tij, për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase teza përgatitet nga drejtoritë arsimore të  Korçës dhe tërhiqet ditën e provimit nga drejtori i shkollës i shoqëruar nga përfaqësuesi i DAR Korçë. Hartimi i testit për Provimin e Lirimit në gjuhën amtare do të ndjekë të njëjtën procedurë sipas pikës 1 të këtij udhëzimi. “ Për Institutin e nxënësve që nuk shikojnë, testi të tërhiqet në AKP nga drejtoria e Institutit një ditë para zhvillimit të provimit, që e kthen atë në sistemin e shkrimit BRAIL”, thuhet në udhëzim.

Rregullorja e provimit 

Rregullorja e provimeve të lirimit është e ngjashme me atë të provimeve të maturës shtetërore. Së i përket ambienteve se ku do të zhvillohen Provimet e Lirimit, MASH ka vendosur që si mjedise të Provimeve të Lirimit të shërbejnë vetëm shkollat publike. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Kështu, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë drejtorive arsimore ose zyrave arsimore skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota. Pas çdo provimi, dërgohet skema e vlerësimit në Komisionin Shkollor të Provimeve të Lirimit, e cila afishohet dhe informon çdo nxënës për të. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga DAR/ZA, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Ndërkaq, DAR/ZA ngre grupe që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Së fundi, nga sa përcakton rregullorja, shpallja e rezultateve do të bëhet jo më shumë se 15 ditë pas çdo provimi. Për të gjithë nxënësit e klasave të nënta, mësuesit, apo prindërit e interesuar, më poshtë po botojmë një model të provimeve të lirimit që është aplikuar një vit me parë.

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit për provimet e maturës

REPUBLIKA E SHQIPËRISË MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS MINISTRI

Nr.2636Prot.

UDHËZIM PËR MASAT PËR ZHVILLIMIN E PROVIMEVE TË MATURËS SHTETËRORE 2011

Në mbështetje të Nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Ligjit Nr. 7592, datë 21.06.1995, “Për sistemin arsimor parauniversitar”, të ndryshuar, të Vendimit të Këshillit Ministrave Nr. 78, datë 08.02.2006 “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe provimet në shkollat e larta publike”, i ndryshuar, dhe të Vendimit të Këshillit Ministrave Nr. 1013, datë 10.12.2010 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP)”,

UDHËZOJ:

KREU I

PROVIMET E DETYRUARA DHE ME ZGJEDHJE TË MATURËS SHTETËRORE

6. Provimet e Maturës Shtetërore 2011, të detyruara dhe me zgjedhje, të fillojnë në orën 10:00.

7. Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12  kërkesa janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë.

8.  Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative dhe vlerësohen me 10 pikë dhe 10 pyetje janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë.

9.  Provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Procedurat e hartimit të testeve të provimeve të detyruara përcaktohen në “Rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2011 në Republikën e Shqipërisë”, Nr. 33, datë 06.01.2011.

10. Provimet me zgjedhje zgjasin 4 orë. Procedurat e hartimit të testeve të provimeve me zgjedhje përcaktohen në “Rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2011 në Republikën e Shqipërisë”, Nr. 33, datë 06.01.2011.

11. Për maturantët/kandidatët që do të japin provim të MSh njërën nga lëndët me zgjedhje, koha është 2 orë. Këta maturantë/kandidatë do të fillojnë provimin në orën 11.00 dhe do ta zhvillojnë atë në mjedise të veçanta.

KREU II

ADMINISTRIMI I PROVIMEVE

1. Administrimi dhe zhvillimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2011 bazohet në “Rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2011 në   Republikën e Shqipërisë”.

2. Testet për provimet e Maturës Shtetërore hartohen dhe administrohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP), mbi bazën e programeve orientuese lëndore përkatëse.

3. DEPU dhe AKP, brenda muajit prill 2011, të përcaktojnë sasinë dhe llojin e testeve që nevojiten për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje).

KREU III

HARTIMI DHE VLERËSIMI I TESTEVE TË PROVIMEVE TË MATURËS SHTETËRORE 2011

1. Përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2011 të kryhet nga specialistë të caktuar prej Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, të cilët emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AKP. Pas përzgjedhjes së testit, të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave nga AKP.

2. Periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për Maturën Shtetërore 2011 të jenë:

a) 25 maj –  01 qershor 2011, për lëndën “Gjuhë shqipe dhe letërsi”

b) 08 qershor – 15 qershor  2011, për lëndën “Matematikë”

c)  23 qershor – 30 qershor 2011, për lëndët me zgjedhje.

3. Lista e punonjësve të AKP-së, të cilët përfshihen në KOEPS për secilën periudhë të përmendur në pikën 2, kreu III i këtij udhëzimi, miratohet nga Drejtori i Përgjithshëm i AKP-së. Specialistët  e lëndëve përkatëse në AKP futen në KOEPS një ditë më pas nga datat e përcaktuara në pikën 2. Ata hartojnë së bashku me PTP skemat  e vlerësimit të testeve dhe  ndihmojnë më tej proceset e tjera të formatimit, shumëfishimit dhe shpërndarjes së testeve.

4.    Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZhA), Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional (AKAFP) dhe Kultur-Kontakt të marrin masat e mëposhtme, për lirimin e mjediseve dhe vënien e tyre në dispozicion të AKP-së, gjatë periudhës 24 maj – 01 korrik 2011:

a)  Të zhvillojnë veprimtaritë e tyre në mjedise të tjera jashtë ndërtesës ku ndodhet AKP-ja;

b)  Të planifikojnë lejet e zakonshme për specialistët të cilët nuk janë angazhuar si përfaqësues të MASh-it për ndjekjen e provimeve të Maturës Shtetërore 2011.

5. Pas zhvillimit të çdo provimi të Maturës Shtetërore 2011, testet e maturantëve/kandidatëve të dërgohen, nën masa të rrepta sigurie, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani” Tiranë. AKP-ja kryen inventarizimin dhe  shpërndarjen e tyre në qendrat e vlerësimit.

6. Vlerësimi i testeve të maturantëve/kandidatëve në provimet e Maturës Shtetërore 2011 të bëhet në qendrat e mëposhtme:

a) Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”, Qendra Nr. 1.

b) Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”, Qendra Nr. 2.

c) Në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”.

ç) Në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja”.

d) Në Fier, në godinën e shkollës “Naim Frashëri”.

e) Në Korçë, në godinën e shkollës “Sevasti Qiriazi”.

7. Vlerësimi i testeve të Maturës Shtetërore 2011 të ndjekë procedurat e përcaktuara në nenin 58 të “Rregullores për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2011 në Republikën e Shqipërisë”, Nr. 33, datë 06.01.2011.

8. DAR Tiranë, DAR Elbasan, DAR Shkodër, DAR Fier dhe DAR Korçë të marrin masa për lirimin e mjediseve për vlerësimin e testeve në godinat e shkollave të përmendura në pikën 6 të këtij kreu dhe për ruajtjen e tyre me shërbim 24-orësh me roje të policisë së shtetit, gjatë periudhës 1 qershor – 15 korrik 2011.

9. Pas çdo provimi të Maturës Shtetërore 2011, në secilën nga 6 qendrat e vlerësimit të funksionojë në mënyrë permanente një grup i administrimit dhe i monitorimit të testeve, me përbërje si më poshtë:

a. një përfaqësues i AKP-së;

b. një përfaqësues i DEPU;

c. një përfaqësues i DAR-së përkatëse.

10.  AKP-ja të bëjë intervistimin dhe përzgjedhjen e vlerësuesve për çdo provim të Maturës Shtetërore dhe dërgon listat në DAR/ZA-të përkatëse, brenda datës 15 prill 2011. Vlerësuesit e përzgjedhur të trajnohen nga AKP-ja sipas një programi e grafiku të posaçëm dhe të certifikohen në mbarim të këtij trajnimi.

11. Për drejtimin teknik të procesit të vlerësimit, AKP-ja të caktojë në çdo qendër e për secilin provim dy specialistë, të cilët do të përzgjidhen e trajnohen prej saj në periudhën 15 prill – 15 maj 2011.

12. Transporti i testeve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë dhe anasjelltas, të bëhet, nën masa të rrepta sigurie, me automjete të DAR-së përkatëse, nga grupi i administratorëve të përmendur në pikën 9 të këtij kreu.

KREU IV

MONITORIMI I PROCESIT TË KORRIGJIMIT TË PROVIMEVE TË MATURËS SHTETËRORE 2011

1.         Grupi monitorues në Qendrën e Vlerësimit ka detyrat e mëposhtme:

a.    Kontrollon nëse është siguruar ruajtja nga policia e objektit ku janë vendosur testet.

b.    Përgjigjet për tërheqjen e testeve nga AKP-ja dhe për transportimin e tyre drejt Qendrës së Vlerësimit.

c.     Merr në dorëzim testet nëpërmjet një procesverbali që firmoset nga tre përfaqësuesit e grupit monitorues si edhe nga personi i sektorit të administrimit të testeve në AKP, i cili bën dorëzimin e tyre.

ç.  Qëndron në mjediset e Qendrës së Vlerësimit gjatë procesit të korrigjimit dhe raporton në institucionet përkatëse.

2.       Personat që bëjnë pjesë në grupet e monitorimit të procesit të korrigjimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2011 për secilën qendër vlerësimi, caktohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.

3.       Periudha e monitorimit dhe grafiku i paraqitjes së përfaqësuesve të grupit monitorues në AKP është:

a) Për lëndën “Gjuhë dhe letërsi shqipe”   03 – 13 qershor 2011

b) Për lëndën “Matematikë”                           17 – 30 qershor 2011

c) Për lëndët me zgjedhje                              02 – 10 korrik 2011.

KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT

1. Punonjësit që angazhohen jashtë kohës normale të punës në procesin e administrimit  dhe të vlerësimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2011, të paguhen sipas  akteve nënligjore në fuqi.

2. Shpenzimet e udhëtimit, të hotelit dhe të ushqimit të specialistëve të përfshirë në këtë proces mbulohen nga institucionet përkatëse.

3. Ngarkohen për zbatimin e këtij Udhëzimi Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Edukimit Parauniversitar, Drejtoria e Programeve të Zhvillimit, Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Koordinimit Rajonal, Drejtoria e Shërbimeve të Përgjithshme, AKP, IKAP, IZhA, AKAFP, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore.

Ky Udhëzim hyn në fuqi menjëherë.

>


tag











Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: aleda
ikub #:
1105200127






Reklame


Reklame
Hako
Reklame
Alviero


Reklame
MK_Shorteu